VIDEO/ Dom Gjergj Meta mesazh për Krishtlindjet: Duhet të jemi për njëri-tjetrin

21:44, 24/12/2022
A+ Aa A-

Dom Gjergj Meta në një video mesazh nga qyteti i Rrëshenit, ka dhënë urimin e tij për Krishtlindjet.

Është Krishtlindje!

Është e njëjta festë sikurse edhe vitin e kaluar, por në fakt ne nuk jemi më të njëjtët, sepse koha ka rrjedhur dhe në shtratin e jetës ne kemi kaluar shumë përjetime e situata. Disa njerëz kanë ardhur në jetën tonë, disa të tjerë mund të jenë larguar ndoshta përgjithmonë. Kemi kaluar situata të bukura dhe më pak të bukura, situata të gëzuara e situata më pak të gëzuara. Megjithatë ne kuptojmë një gjë, që në këtë jete jemi udhëtarë, ne kalojmë, ecim. Krishtlindja, sikurse do të dëgjojmë edhe në ungjillin e Gjonit të Dielën, është Fjala e cila bëhet njeri dhe vjen të banojë mes njerëzish, vendos të ndërtojë tendën e vet, shtëpinë e vet mes njerëzish dhe kështu Hyji bëhet bashkëudhëtari ynë. Ai ka vendosur të ecë me ne, të përjetojë bashkë me ne, pra mos të na lërë vetëm. Krishtlindja është mesazhi se Hyu nuk na lë vetëm, se ai është bashkë me ne.

Por ka akoma diçka më shumë. Hyji nuk na ka krijuar vetëm. Ai na ka krijuar me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin. Sfidat që ne përballojmë në jetë, të shkaktuara nga rrethanat, të shkaktuara nga vetja jonë apo të shkaktuara nga të tjerët ne nuk mund t’i përballojmë të vetëm, por së bashku mund t’i përballojmë ato. Prandaj Krishtlindja sjell edhe këtë mesazh: Hyji është me ne, por ai na krijuar që të jemi me njëri-tjetrin. Për këtë, kudo që të mbërrijë kjo video, kushdo që ta dëgjojë këtë mesazh: ne në këtë Krishtlindje nuk jemi vetëm. Hyji është me ne dhe ne jemi me njëri-tjetrin dhe duhet të jemi për njëri-tjetrin. Prandaj për të gjithë ju: gëzuar Krishtlindjet! Për shumë mot Kshenallat!

Dom Gjergj Meta

Ipeshkëv i Rrëshenit

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco