VIDEO-SYRI TV/ Dëbora paralizon juglindjen, dhjetëra fshatra pa energji elektrike

VIDEO-SYRI TV/ Dëbora paralizon juglindjen, dhjetëra fshatra pa energji elektrike

14:46, 27/02/2022
A+ Aa A-

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka paralizuar një pjesë të mirë të zonave malore në Shqipëri.

Situata paraqitet  problematike kryesisht në Juglindje të vendit, por edhe në Malisinë e Krujës dhe Shkodrës.

Erërat e forta dhe dendësia e borës, kanë bërë që në dhjetra fshatra të mungojë furnizimi me energji elektrike.

Kushtet atmosferike kanë bërë që shumë fshatra në juglindje dhe veri të Shqipërisë të përballen me probleme në infrastrukturën rrugore dhe furnizimit me energji elektrike.

Policia dhe ARRSH njoftojnë se në rrugët që të çojnë në Dardhë, Voskopojë, Qafën e Qarrit, Qafë Thanë, Qafë - Pllocë duhet të qarkullohet vetëm me zinxhirë ose goma dimërore.

Njësia administrative e Vithkuqit prej orëve të para të mëngjesit vuan nga mungesa e energjisë elektrike.

Pa energji elektrike janë 35 fshatra të Njësive Administrative Gorë e Moglicë Pojan, Pirg e Vreshtas në Bashkinë e Maliqit.

Ka patur probleme në disa blloqe banimi edhe në qytetin e Korçës.

Punojës të OSSHE bëjnë me dije se kjo vjen për shkak të rrjetit të amortizuar dhe erës së fortë.

Edhe në njësitë administrative Proptishtit, Cërravës, Trebinjës dhe Dardhasit situata është e njëjtë ku mungon energjia elektrike.

Deri tani nuk është parë të ndërhyhet për rregullimin e defekteve. Pa energji ka mbetur qyteti i Bilishtit si dhe gjithë fshatrat e Njësive Administrative të kësaj bashkie.

Autoritetet njoftuan drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, se në Stacionin e Policisë Kufitare  Kapshticë, nuk do të lejohet kalimi i mjeteve të kësaj kategorie në drejtim  të Greqisë, deri në një njoftim të dytë.

Gjithashtu e njëjta masë është marrë edhe në akset Qafë Thanë-Lin-Pogradec dhe Qafë Thanë-Përrenjas-Elbasan. Malësia e Krujës, përfshirë edhe Parkun Kombëtar i Qafshtamës janë mbuluar nga dëbora, trashësia e të cilës arrin në mbi 10 centimetra.

Në qarkun e Fierit ka patur reshje shiu të zgjatura në kohë, ndërsa Lumi Gjanica pavarësisht rritjes së prurjeve për momentin nuk paraqet situatë shqetësuese.

Llogoraja është zbardhur nga dëbora, teksa aksi rrugor që përshkon këtë zonë është i hapur për të gjithë automjetet.

Në Shkodër, kryesisht në zonën e Thethit, qarkullimi është i mundshëm vetëm për mjetet e larta dhe me zinxhir, pasi përveç dëborës, ka edhe ngrica në rrugë.

Masive inertesh kanë rënë nga lartësitë duke bllokuar rrugën nga një krah në aksin Gjirokastër-Tepelenë, teksa qarkullimi po kryehet vetëm nga njëra anë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco