Debati publik për analizat e gjakut që zbulojnë kancerin është përqendruar kryesisht te testet për zbulim të hershëm, si Galleri i kompanisë Grail, që premton të identifikojë mbi 50 lloje kanceri te njerëzit e shëndetshëm. Por investitorët po shohin më shumë potencial te një treg tjetër: testet që zbulojnë rikthimin e kancerit pas trajtimit.
Pas heqjes kirurgjikale të një tumori, pyetja kryesore është nëse janë zhdukur të gjitha qelizat kancerogjene. Sot, shumë onkologë përdorin analiza gjaku për ta zbuluar këtë muaj para se të shfaqet në skanerë tradicionalë.
Kompania amerikane Natera dominon këtë treg, të njohur si “minimal residualdisease” (MRD). Aksionet e saj janë katërfishuar në tri vitet e fundit dhe kompania vlerësohet rreth 31 miliardë dollarë. Të ardhurat e saj u rritën nga 1 miliard dollarë në vitin 2023 në 2.3 miliardë vitin e kaluar.
Produkti kryesor i saj, Signatera, krijon teste të personalizuara duke analizuar ADN-në e tumorit të pacientit. Më pas, analiza e gjakut kërkon gjurmë të të njëjtave mutacione për të zbuluar rikthimin e kancerit shumë herët.
Mjekët thonë se kimioterapia funksionon më mirë kur kanceri kapet në fazat mikroskopike, para se të shihet në imazheri. Ndryshe nga testet e përgjithshme të zbulimit të hershëm, MRD di saktësisht çfarë kërkon, sepse bazohet në ADN-në e tumorit origjinal.
Megjithatë, përdorimi masiv i këtyre testeve kërkon prova klinike që tregojnë se ato zgjasin jetën e pacientëve. Natera po zgjeron aktivitetin në tregje të reja si Japonia dhe përballet me konkurrencë nga kompani si GuardantHealth dhe Roche.
Ekspertët besojnë se në të ardhmen çdo pacient me kancer do të monitorohet rregullisht me analiza gjaku për të zbuluar rikthimin e sëmundjes para se ajo të përhapet. / WSJ – Syri.net
© SYRI.net