Ngrënia e ushqimeve ultratë përpunuara si proshuta dhe sallamet mund të rrisë rrezikun për artrit në gjunjë, sipas një studimi të ri. Studiuesit zbuluan se një dietë e pasur me këto produkte lidhet me grumbullim më të madh yndyre brenda muskujve të kofshës, pavarësisht kalorive apo aktivitetit fizik.
Kjo yndyrë e brendshme mund të rrisë rrezikun për osteoartrit të gjurit, një sëmundje e dhimbshme dhe dobësuese. Ushqimet ultratë përpunuara (UPF) janë produkte të gatshme, të prodhuara me përbërës artificialë ose shumë të përpunuar, shpesh të varfra në fibra dhe proteina, por të pasura me sheqer, kripë dhe yndyrë. Në këtë kategori hyjnë produkte si sallamet, burgerët, patatinat, akullorja, pijet e gazuara dhe shumë ushqime të paketuara.
Studimi analizoi 615 persona rreth moshës 60 vjeç, të cilët nuk kishin ende osteoartrit. Mesatarisht, 41% e dietës së tyre përbëhej nga ushqime ultra-të përpunuara. Rezultatet treguan qartë: sa më shumë UPF konsumonin, aq më shumë yndyrë kishin në muskujt e kofshës.
Autorja kryesore, Zehra Akkaya, shpjegoi se kjo yndyrë shihet në skanime MRI si degradim i muskujve, ku fijet muskulore zëvendësohen gradualisht nga yndyra. Ajo theksoi se osteoartriti është në rritje globale dhe lidhet fort me obezitetin dhe stilin e jetesës jo të shëndetshëm.
Një tjetër problem është se këto ushqime ndikojnë në sistemin e shpërblimit të trurit, duke i bërë njerëzit të hanë më shumë dhe më shpesh. Kjo e përkeqëson ciklin e ushqyerjes së keqe dhe dëmtimit të trupit.
Ekspertët theksojnë se nuk mjafton vetëm ulja e kalorive apo ushtrimi fizik. Cilësia e ushqimit është po aq e rëndësishme. Reduktimi i ushqimeve ultratë përpunuara dhe zgjedhja e ushqimeve natyrale mund të ndihmojë në ruajtjen e muskujve dhe në uljen e rrezikut për artrit.
Ky studim hedh dritë mbi një faktor të fshehur në shëndetin e kyçeve: jo vetëm sa hamë, por çfarë hamë. /Southern Minn - Syri.net
© SYRI.net