Për disa është një shije e fituar, për të tjerë, është pjesërisht pije, pjesërisht deklaratë mode. Por çaji jeshil matcha i Japonisë, ndoshta nuk shihet si një ilaç për teshtitmat dhe ethet e sanës.
Një lajm i mirë për ata që e kanë frikë fillimin e sezonit të polenit mund të jetë ky, pasi një ekip i Universitetit të Hiroshimës beson se ky mund të jetë rasti, pas testeve që sugjerojnë se pluhuri i matchas "mund të zvogëlojë nevojën për të teshtitur tek njerëzit me alergji nazale".
Studiuesit thanë se tashmë kishte të dhëna se çaji jeshil dhe matcha, me nivelet e tyre të larta të përbërësve biologjikisht aktivë, duke përfshirë antioksidantë dhe aminoacide, mund të jenë të dobishëm kundër rinitit.
"Përdorimi i tij është i lidhur me një sërë përfitimesh shëndetësore, të tilla si përmirësimi i funksionit të zemrës dhe trurit, si dhe ulja e inflamacionit", tha ekipi për pluhurin, i cili bëhet duke bluar gjethet e çajit.
Në një punim të botuar së fundmi në Science of Food, pjesë e familjes së revistave shkencore Nature, shkencëtarët shpjeguan se minjve të projektuar për të përjetuar simptoma të etheve të sanës iu dha çaj matcha dy deri në tre herë në javë për më shumë se pesë javë, me një dozë shtesë 30 minuta para ekspozimit ndaj një alergjeni, që do të shkaktonte simptoma të rinitit alergjik.
"Matcha potencialisht lehtëson simptomat e rinitit alergjik", thanë studiuesit në punim, duke e përshkruar efektin si një "ulje të drejtpërdrejtë të refleksit të teshtitjes".
"Qëllimi është një opsion i mbështetur në prova dhe i bazuar në ushqim që plotëson kujdesin standard për simptomat e rinitit alergjik", tha Osamu Kaminumu i Institutit të Kërkimeve për Biologjinë dhe Mjekësinë e Rrezatimit në Universitetin e Hiroshimës, ekipi i të cilit bëri thirrje për më shumë punë për të përcaktuar, "nëse këto efekte ndodhin edhe tek njerëzit"./ DPA News.
© SYRI.net