Përdorimi në rritje i ilaçeve kundër diabetit si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro për qëllime estetike të rënies në peshë po kthehet në një fenomen shqetësues global. Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se kjo praktikë, e ndjekur gjithnjë e më shumë nga persona të shëndetshëm, mund të sjellë pasoja të rënda për organizmin.
E ftuar në emisionin KAFE SHQETO, mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg, theksoi se këto medikamente janë të destinuara për trajtimin e diabetit dhe obezitetit, dhe jepen vetëm me recetë nga mjeku specialist.
Ajo u shpreh se përdorimi i tyre si “zgjidhje e shpejtë” për dobësim, sidomos nga persona që nuk kanë indikacion mjekësor, shoqërohet me efekte të shumta anësore.
“Rënia e shpejtë në peshë nuk është vetëm humbje dhjami, por edhe e masës muskulare, deri në 40%. Kjo ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e kockave dhe rrit rrezikun për fraktura dhe osteoporoza të hershme”, paralajmëroi ajo.
Sipas saj, mungesa e oreksit që shkaktojnë këto injeksione çon në marrje të pamjaftueshme të proteinave dhe vitaminave, duke përkeqësuar më tej gjendjen e kockave dhe duke rritur rrezikun për osteomalacia. Mjekja theksoi se grupet më të rrezikuara janë gratë mbi 40 dhe veçanërisht mbi 50 vjeç, të cilat për shkak të ndryshimeve hormonale kanë tashmë një dobësim natyral të kockave. Kombinimi me këto medikamente mund të çojë në pasoja serioze, deri në paaftësi fizike.
Përveç dëmtimeve në kocka, përdorimi i pakontrolluar i këtyre ilaçeve lidhet edhe me probleme të tjera shëndetësore si pankreatiti, inflamacion i tiroides, si dhe formimi i gurëve në tëmth, një komplikacion që sipas saj prek një pjesë të konsiderueshme të përdoruesve.
Dr. Dollenberg ngriti shqetësimin edhe për përdorimin pa kriter të këtyre medikamenteve, duke theksuar se ato shpesh sigurohen lehtësisht pa recetë dhe përdoren nga të rinjtë për të humbur peshë në kohë të shkurtër. Në përfundim, ajo bëri thirrje që çdo përdorim i këtyre injeksioneve të bëhet vetëm nën mbikëqyrje mjekësore dhe pas analizave të nevojshme, duke theksuar se ato nuk janë produkte për stil jetese, por trajtime serioze mjekësore.
Dollenberg:
E vërteta është që gjilpërat kundra obezitetit, pra mbipeshës, qoftë nga Ozempic-u që ka qenë i pari dhe vazhdon të jetë një nga më i famshmi, por dhe më të fuqishmit që kanë dalë në dy vitet e fundit, qysh është Wegovy dhe Mounjaro, të cilët arrijnë një rënie peshe akoma dhe më të lartë sesa Ozempic-u. Të treja këto medikamente qarkullojnë në tregun evropian tanimë vetëm për diabetin, por edhe për obezitetin, pra me anë të medikacionit të përshkruar me recetë nga mjeku. Pra nuk është një medikament i cili mund të jepet siç e treguat dhe juve për lifestyle, pra secili mund ta marrë në një, në çdo farmaci, por jepet vetëm me rekomandim nga mjeku specialist, diabetolog ose mjeku internist, me qëllim që këto pacientë që e kanë indikacionin mjekësor për të marrë gjilpëra për rënie shumë të shpejtë dhe efektive, të fuqishme në peshë, të kenë mundësi t'i marrin këto gjilpëra. Të gjithë të tjerët që e marrin vetëm për t'u bërë brenda një muaji gati për plazh, patjetër që ka efekte të shumta anësore. Ndër të shumtat prej tyre është qysh e përmendët dhe juve, ndikimi tek kockat, ndikim indirekt tek kockat, duke bërë që të ulet densiteti, pra dëndësia e kockave, sepse këto pacientë që bien kaq shpejt në peshë, normalisht humbasin jo vetëm dhjamë, por 40% të humbjes në peshë është edhe muskul. Ulja e peshës muskulare bën që kocka të destabilizohen normalisht. Këto pacientë tentojnë që, sepse vetë gjilpërat e bëjnë këtë gjë, që ne nuk kemi oreks. Pra momentin që kemi që marrim këto gjilpëra në mënyrë të përditshme, dhe sa më e lartë doza, aq më pak oreks kemi, automatikisht ha më pak vitamina, ha më pak proteina, duke bërë që indirekt ne kockat t'i dobësojmë kaq shumë, saqë shumë prej këtyre pacientëve vuajnë patjetër nga thyerjet e kockave, nga hollimi i tyre dhe nga një osteoporozë shumë të parakohshme.
Shumë të rrezikshme janë për pacientët që janë mbi 50 vjeç dhe i marrin këto gjilpëra, sepse shumë prej atyre mbi peshë, pacientë me mbipeshë janë gra. Dhe gratë mbi moshën 50 vjeç, zakonisht, mesatarisht janë në menopauzë dhe kanë një ulje automatike qoftë të hormonit estrogjenit, progresteronit që i ruan kockat, i fuqizon kockat. Kanë një ulje natyrale qoftë të vitaminës D, të thithjes së kalciumit në kocka dhe kur marrin dhe këto gjilpëra mbi të, automatikisht këto paciente kanë një zbutje që mund ta quajmë masive të kockave, ajo osteomalacia që ju përmendët dhe automatikisht këto pacientë shndërrohen mund ta quajmë në invalid ortopedik, sepse në qoftë se fillojnë me thyerjet e kockave të mëdhaja, imagjinoni që ky pacient në vazhdim pastaj do ketë problematikë në në lëvizje në mënyrë permanente.
Pesha muskulare edhe nga gjilpërat ka rënë shumë. Pra kemi një dëmtim serioz të shëndetit të pacientëve, sidomos ata që janë mbi 50 vjeç, por alarmi jepet dhe për ata që janë mbi 40 vjeç. Gratë mbi 40 vjeç nuk i ndërtojnë kockat, muskujt e të tjera aq mirë si sa një 20 vjeçar. Prandaj për këto dy grupmoshat, pra mbi 40 vjeç e sipër, gjinia femërore janë më të rrezikuar shumë më shumë se dy të tjerë. Shumë të rrezikuar janë ata që i marrin këto gjilpëra për rënie në peshë pa e ditur që kanë një problem me tiroiden, sepse është e ditur që këto gjilpëra ndikojnë në rritjen e inflamacionit, pezmatimit të tiroides. Shumë shumë rrallë në mënyrë indirekte është vërtetuar që mund të ketë dhe lidhje me kancerin e tiroides, por shumë rrallë. Ata të cilët kanë pasur në të kaluarën e tyre prekje të pankreasit, qoftë nga përdorimi i alkoolit, qoftë nga një infeksion në pankreas dhe i marrin këto gjilpëra, rrezikojnë drejtpërdrejtë për pankreatitet, pra që janë acarime të pankreasit dhe një ndër efektet anësore të mirëdituara është krijimi i gurëve në tëmth, sepse gjilpërat për uljen në peshë ulin normalisht lëvizshmërinë edhe të stomakut dhe të tëmthit, duke bërë që në tëmth të mbetet ai llumi, sidomos i kolesterolit që rritet nga këto gjilpëra, në tëmth produkt ë mund ta quajmë definitiv, detoksikues i mëlçisë, depozitohet në tëmth dhe duke mos lëvizur më tëmthi, duke u akumuluar dhe prodhuar më shumë se ç'duhet kolesterinë aty brenda, krijon gurë me kolesterinë. Kështu që rreth 40%, pothuajse gjysma e këtyre pacientëve që marrin gjilpërë vuajnë dhe nga gurët në tëmth, që është nga ato urgjencat, mund ta quajmë edhe kirurgjikale, edhe pse për fatin e mirë jo më të rënda, por ka efekte anësore të cilat nuk duhen neglizhuar, prandaj dhe duhen bërë me recetë mjekësore dhe monitorim nga mjeku specialist.
Në Gjermani për të paktën, ne nuk e japim këtë medikament çdo pacienti që ka thjesht mbipeshë, por ata që kanë diabetin. Pra këto medikamente janë liçensuar që në origjinën e tyre vetëm për trajtimin e diabetit sepse ai hormoni që këto imitojnë, që është GLP-1, është hormon i ngjashëm si insulina dhe ndihmon që të gjithë pacientët që janë diabetikë, që kanë një sheqer të lartë, duke i marrë këto gjilpëra arrijnë një kontroll shumë të mirë në një kohë të shkurtër të sheqerit të tyre. Dhe në pacientët e parë që i provuan këto gjilpërë që ishin diabetikë, vunë re që ranë dhe në peshë. Pra rënia në peshë ka qenë një efekt anësor i këtyre gjilpërave, gjë pastaj kur u vërtetua që ishte pozitiv për ata që ishin mbipeshë, tani po përdoret si trendi kryesor duke i harruar të gjitha benefitet faktikisht dhe përse përdoret nga ana mjekësore dhe duke u fokusuar vetëm tek ky efekt anësor që është rënia në peshë.
Nga ana mjekësore është e rekomanduar që të gjithë pacientët, përpara se t'i marrin këto gjilpëra, dhe për fatin e keq në Shqipëri është e ditur që këto gjilpëra gjenden dhe në tregun e zi, pra nuk është e nevojshme të kesh një recetë nga mjeku, por mund ta gjesh shumë lehtë edhe nëpër farmaci. Të gjithë e përdorim, më shumë se 80% e atyre që po bëhen gati për plazh tani janë duke marrë sidomos mosha 20 deri në 40 vjeç, i përdorin qoftë Ozempic-un, Mounjaro-n për të rënë brenda muajit deri në 10 kg, sepse kjo është efekti i ditur i këtyre gjilpërave, dhe në këtë formë ne arrijmë që të prodhojmë një masë pacientësh të cilët kanë komplikacione nga më të ndryshmet, nga e lehta por edhe serioze në raste të rralla, të cilat nuk monitorohen fare. Prandaj të gjithë këtyre pacientëve që momentalisht mbase po i japin çdo mëngjes trupit të tyre këto gjilpëra, unë i bëj thirrje të shkojnë tek mjeku i familjes ose mjeku i tyre specialist dhe të bëjnë një analizë gjaku për të kontrolluar qoftë tiroiden, për të kontrolluar vlerat e mëlçisë dhe të pankreasit, për të parë si e kanë nivelin e kalciumit dhe të vitaminës D, sepse në momentin që kanë probleme me metabolizmin e kalciumit, kanë probleme me densitetin e kockave, kanë probleme me aftësinë për ta përpunuar këtë gjilpërën se mëlçia e tyre nuk funksionon. Të gjithë këto pacientë sëmuren nga këto gjilpëra në vend që thjesht të heqin peshën. Prandaj është e detyrueshme jo t'i marrim këto gjilpëra në mënyrë të verbër, pse dikush do të shesi dhe të fitojë para me to, por të shkojë tek mjeku specialist, të kontrollojmë që jemi të shëndetshëm dhe e kemi indikacionin që mund t'i marrim këto gjilpëra pa na rënë sheqeri në shpi, sepse mos harrojmë dhe njëherë, janë medikamente kundra diabetit, kundra sheqerit. Pra në momentin që ne japim, jemi, nuk jemi diabetikë, por jemi vetëm me mbipeshë dhe jo mbipeshë, patjetër, shumë prej tyre i marrin vetëm për një çikë dhjamin e barkut që nuk ka lidhje fare me me, domethënë nuk ndikon në peshë, në dhjamosjet në zona të caktuara, por në të gjithë trupin, dhe në vend që të heqin thjesht dhjamin, humbasin vetëdijen në kushte shtëpiake sepse sheqeri u bie në mënyrë të papritur, sepse nuk e dinë dhe nuk janë të informuar që këto janë medikamente si insulina që i japim diabetikëve. Pra, të gjithë këtë informacion pacientët janë të detyruar ta marrin nga mjeku specialist, i cili nuk shet medikamente, por përpiqet që këtë pacient ta shoqërojë deri në fund të terapisë, që duhet të jetë me doza më të ulët dhe me një kohë sa më të shkurtër për të ulur efektet anësore që përmendëm, dhe të jetë gjithmonë në monitorim mjekësor.
© SYRI.net