Një studim i fundit nga Universiteti i Cyrihut dhe Universiteti i Kalifornisë Jugore tregon se injeksionet e qelizave staminale mund të ndihmojnë në riparimin e dëmtimeve të trurit të shkaktuara nga goditjet cerebrale. Studimi, i botuar në revistën Nature, përdori minj me dëmtime në tru dhe zbuloi se shumica e qelizave të transplantuara mbijetuan, u diferencuan në neurone funksionale dhe filluan të komunikojnë me qelizat ekzistuese të trurit.
Neurologu Christian Tuckenberg nga Universiteti i Cyrihut shprehet: “Ne zbuluam se qelizat staminale i mbijetuan periudhës pesë-javore të analizës dhe shumica e tyre u transformuan në neurone që lidhen me qelizat ekzistuese.”
Përveç formimit të neuroneve të reja, studiuesit vunë re edhe rigjenerim të enëve të gjakut, ulje të inflamacionit dhe forcim të barrierës hemato-tru. Minjtë e trajtuar gjithashtu treguan përmirësim në lëvizje dhe koordinim, një tregues i rëndësishëm pas një goditjeje cerebrale që mund të dëmtojë kontrollin motorik.
Studiuesit theksojnë se koha e injektimit të qelizave staminale është vendimtare dhe se, për momentin, kjo qasje mbetet eksperimentale. Ende nuk dihet nëse metodat e njëjta mund të aplikohen te njerëzit, dhe çdo ndërhyrje në tru mbart rreziqe të konsiderueshme.
Megjithatë, rezultatet e këtij studimi hapin mundësinë për zhvillimin e terapive që në të ardhmen mund të riparojnë dëmtimet që aktualisht konsiderohen të pariparueshme.
© SYRI.net