Një llogaritje e re shkencore mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si e shikojmë pirjen e duhanit. Të gjithë e dimë që duhani është i dëmshëm, por sa shumë mund të shkurtojë jetën tuaj?
Studimet klinike tregojnë rezultate tronditëse: çdo cigare që tymosni mund t’ju heqë mesatarisht 20 minuta jetë, raporton Net.hr.
Për vite me radhë, fushatat ndërgjegjësuese kanë theksuar rreziqet e kancerit, dëmtimit të mushkërive, sulmeve në zemër dhe efektet negative tek fertiliteti dhe fëmijët e palindur. Por tani, një llogaritje konkrete e kohës së humbur jep një mesazh të qartë: çdo cigare ka një çmim të drejtpërdrejtë mbi jetën tuaj.
Efektet e menjëhershme të lënies së duhanit:
• 20 minuta: Rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut kthehen në normalitet.
• 8 orë: Nivelet e oksigjenit në gjak normalizohen.
• 48 orë: Trupi largon të gjithë monoksidin e karbonit, shqisa e shijes dhe nuhatjes përmirësohet.
• 2 javë – 9 muaj: Energjia rritet dhe qarkullimi përmirësohet; kolla dhe gulçimi ulen.
• 1 vit: Rreziku i atakut në zemër përgjysmohet.
• 10 vjet: Rreziku i kancerit të mushkërive përgjysmohet.
Sipas një studimi të University College London, burrat humbasin mesatarisht 17 minuta për çdo cigare, ndërsa gratë deri në 22 minuta. Dr. Sarah Jackson, autore e studimit, thekson:
“Mesatarisht, duhanpirësit që nuk e lënë duhanin humbasin rreth 10 vjet të jetës së tyre – momente të çmuara me familjen dhe të dashurit. Lënia e duhanit sjell përfitime në çdo moshë, por sa më shpejt ta bëni, aq më e gjatë dhe e shëndetshme do të jetë jeta juaj.”
Herën tjetër që merrni një cigare, mendoni jo vetëm për shijen, por edhe për kohën që mund të humbni.
© SYRI.net