Dhimbja e stomakut është një shqetësim që shumica e njerëzve e kanë provuar të paktën një herë në jetë, por shpesh ajo sinjalizon probleme serioze që nuk duhen injoruar. Një nga shkaqet më të shpeshta është gastriti, inflamacion i mukozës së stomakut, që mund të shkaktohet nga bakteri Helicobacter pylori, konsum i tepërt i alkoolit, duhani, stresi apo përdorimi afatgjatë i barnave kundër dhimbjes si aspirina dhe ibuprofeni. Simptomat variojnë nga djegia dhe dhimbja në stomak, fryrja, humbja e oreksit, deri te të vjellat me gjak, që janë një shenjë serioze.
Edhe zakonet e të ngrënit luajnë një rol të madh. Konsumi i tepërt i ushqimeve të yndyrshme ose i ushqimit të shpejtë shpesh sjell ndjenjën e rëndesës, urth dhe refluks. Po aq ndikues është edhe stresi, i cili rrit aciditetin në stomak dhe shpesh shkakton “stomakun nervoz”. Në raste të tjera, dhimbjet lidhen me intolerancën ushqimore ndaj glutenit apo laktozës, si dhe me infeksione virale e bakteriale që çojnë në dhimbje të forta, diarre dhe të vjella.
Mjekët këshillojnë që të kërkohet ndihmë profesionale kur shfaqen simptoma të rënda si dhimbje të vazhdueshme, gjakderdhje në të vjella ose jashtëqitje, humbje e peshës apo marramendje. Ndërkohë, ndryshimet e vogla në stilin e jetesës – vakte më të vogla e më të shpeshta, shmangia e alkoolit dhe duhanit, aktiviteti fizik i lehtë dhe menaxhimi i stresit – mund të bëjnë një diferencë të madhe.
Ekspertët theksojnë: “Gjithmonë dëgjoni sinjalet e trupit tuaj dhe mos i injoroni simptomat e vazhdueshme.”
© SYRI.net