Sipas Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, bizelet përmbajnë përbërës të njohur si antinutrientë, të cilët në sasi të mëdha mund të shkaktojnë efekte anësore për organizmin. Edhe pse kjo perime e njohur është e pasur me fibra, vitamina dhe antioksidantë, ekspertët theksojnë se përdorimi i përditshëm në sasi të larta mund të sjellë probleme shëndetësore.
Një nga pasojat më të zakonshme është fryrja dhe dispepsia, të shkaktuara nga fibrat dhe karbohidratet që trupi nuk i tret plotësisht. Këta përbërës fermentohen në zorrën e trashë, duke prodhuar gazra dhe shqetësime. Për të shmangur këtë, rekomandohet që konsumi të rritet gradualisht dhe jo në sasi të mëdha njëherësh.
Një tjetër rrezik është përthithja e dobët e mineraleve, si hekuri, kalciumi dhe zinku. Antinutrientët lidhen me këto elemente në sistemin tretës dhe pengojnë përvetësimin e tyre. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se gatimi dhe zhytja në ujë reduktojnë ndjeshëm efektet e tyre negative.
Shkolla e Shëndetit Publik të Harvardit thekson gjithashtu se ngarkesa e veshkave mund të jetë një tjetër pasojë tek personat e ndjeshëm, për shkak të përmbajtjes së lartë të proteinave bimore. Konsumi i tepruar mund të rrisë nivelin e acidit urik dhe të sjellë dhimbje në nyje.
Ekspertët këshillojnë moderim dhe shumëllojshmëri ushqimore: bizelet mbeten të shëndetshme dhe të dobishme, por vetëm kur konsumohen me masë dhe të përgatitura siç duhet.
© SYRI.net