Një alarm global është ndezur nga mjekë dhe kardiologë që shohin tek avullimi (vaping) një rrezik serioz për fëmijët dhe adoleshentët, duke e quajtur atë një “epidemi të re duhani” të udhëhequr nga industria e nikotinës.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht se promovohen si alternativa më të sigurta ndaj cigareve, cigaret elektronike janë gjithçka tjetër veçse të padëmshme. Studime të shumta tashmë i kanë lidhur me probleme kardiovaskulare, dëmtime të mushkërive dhe rritje të rrezikut për kancer.
Profesoresha norvegjeze Maja-Lisa Løchen, kardiologe e lartë në Spitalin Universitar të Norvegjisë së Veriut, deklaroi në kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid se efektet e avullimit janë alarmante: “E-cigaret janë në treg vetëm prej 15 vitesh, por kemi mbi 15 mijë studime shkencore që tregojnë qartë se ato nuk janë produkte të padëmshme”.
Sipas një sondazhi evropian, 22% e adoleshentëve 15-16 vjeç raportuan se përdorin rregullisht vape – një rritje e ndjeshme nga 14% pesë vite më parë. Ndërkohë, një studim i publikuar në New England Journal of Medicine tregon se avullimi rrit rrezikun e goditjes në tru me 32%.
Në Norvegji, përdorimi tek të rinjtë është rritur nga zero në 11% brenda katër vitesh, duke shoqëruar edhe një rritje të re të duhanpirjes tradicionale.
Ekspertët paralajmërojnë se industria e duhanit po shënjestron fëmijët me aroma të ëmbla dhe dizajne tërheqëse, duke i kthyer cigaret elektronike në një “urë” drejt pirjes së cigareve të zakonshme. Për më tepër, avullimi çliron kimikate kancerogjene si formaldehidi dhe acetaldehidi, të cilat dëmtojnë enët e gjakut dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Nikotinës i atribuohet një rrezik i veçantë për trurin në zhvillim të adoleshentëve. Kirurgu i Përgjithshëm i SHBA-ve ka paralajmëruar se ajo ndikon negativisht në kujtesë, të nxënë dhe përqendrim, duke shkaktuar pasoja të pakthyeshme në moshë të re.
Mjekët dhe studiuesit theksojnë se bota duhet të reagojë me urgjencë ndaj kësaj “epidemie të re” për të mbrojtur gjeneratën e ardhshme nga varësia ndaj nikotinës dhe sëmundjet e lidhura me të.
© SYRI.net