Katër në dhjetë britanikë kanë pranuar se ndihen të vetmuar të paktën ndonjëherë, sipas një ankete të re që tregon ndikimin e madh të vetmisë në shëndet dhe kostot e NHS-së.
Analiza e botuar në revistën PLOS One zbulon se njerëzit që përjetojnë shpesh vetmi i kushtojnë Shërbimit Kombëtar Shëndetësor deri në 885 paund (1,024 euro) më shumë në vit krahasuar me ata që janë më të lidhur shoqërisht.
Studimi, i cili përfshiu mbi 23,000 persona nga viti 2021 deri në 2023, tregoi se tetë përqind e britanikëve ndihen rregullisht të vetmuar, ndërsa 32 përqind përjetojnë herë pas here këtë gjendje.
Vetmia lidhet ngushtë me probleme të shëndetit mendor, gjendje fizike më të dobët dhe cilësi të ulët të jetesës, ndërsa personat e prekur vizitojnë më shpesh mjekët dhe spitalet.
“Vetmia shpesh nënvlerësohet, por mbart kosto të mëdha personale dhe shoqërore,” u shpreh autorja e studimit, profesoresha Antonieta Medina-Lara nga Universiteti i Exeter-it, duke theksuar nevojën që ajo të trajtohet si prioritet i shëndetit publik.
OBSH paralajmëron se vetmia është një problem global që prek rreth 16% të popullsisë botërore dhe lidhet me rreziqe serioze si sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2, depresioni dhe ankthi.
Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera tashmë kanë nisur plane kombëtare për të luftuar izolimin social, sidomos tek të rinjtë dhe të moshuarit, të cilët sipas studimit kanë kosto shumë më të larta shëndetësore.
Studiuesit shpresojnë se gjetjet e reja do të nxisin strategji më konkrete për forcimin e lidhjeve sociale, rritjen e mirëqenies dhe uljen e barrës mbi sistemet shëndetësore.
© SYRI.net