Personat që marrin telefonin me vete në tualet duhet të kufizohen në vetëm dy video në TikTok, sipas mjekëve që zbuluan se ata që rrinë duke lëvizur në telefon në tualet janë më të prirë të zhvillojnë hemorroide, krahasuar me ata që nuk e marrin telefonin me vete.
Ata që ulen në “fron” me telefon në dorë kalojnë dukshëm më shumë kohë në tualet, dhe qëndrimi i zgjatur lidhet me rrezik më të madh për zhvillimin e venave të fryra në zonën anale, të njohura si hemorroide apo "mish i huaj".
Megjithëse gjetjet janë paraprake, studiuesit rekomandojnë mosmarrjen e telefonit në tualet ose të paktën vendosjen e një kufiri në kohëzgjatjen e qëndrimit, në mënyrë që përdoruesit të mos shpërqendrohen dhe të përfundojnë duke ndenjur ulur për gjysmë ore.
“Lëreni smartphone-in jashtë, sepse kur hyni në tualet keni vetëm një punë për të bërë dhe duhet të përqendroheni tek ajo punë,” – tha gastroenterologia Dr. Trisha Pasricha, nga Spitali Beth Israel Deaconess në Boston.
“Nëse ‘magjia’ nuk ndodh brenda pesë minutash, ngrihuni dhe dilni. Merrni frymë dhe mund të ktheheni më vonë.”
Dr. Pasricha dhe kolegët e saj ekzaminuan 125 persona për hemorroide gjatë kolonoskopive të kryera si pjesë e një programi për kontrollin e kancerit të zorrës së trashë. Të njëjtët persona plotësuan pyetësorë për dietën, aktivitetin fizik dhe zakonet e tyre në tualet, përfshirë kohëzgjatjen e qëndrimit dhe nëse kishin vështirësi apo kapsllëk.
Sipas studimit të publikuar në Plos One, pjesëmarrësit u pyetën gjithashtu nëse merrnin telefonin në tualet dhe çfarë aplikacionesh përdornin. Të gjithë ishin mbi 45 vjeç.
Dy të tretat e pjesëmarrësve pranuan se e merrnin telefonin me vete në tualet, ku shumica shfletonin lajmet ose rrjetet sociale.
Pasi u morën parasysh faktorët e zakonshëm të rrezikut si mosha, mungesa e aktivitetit fizik dhe fibra të ulëta në dietë, ata që përdornin telefonin në tualet kishin 46% më shumë gjasa të kishin hemorroide sesa ata që nuk e përdornin.
37% e “scrolluesve” kalonin më shumë se pesë minuta në tualet, krahasuar me vetëm 7% të atyre pa telefon.
Leximi në tualet nuk është gjë e re, por Pasricha thotë se gazetat dhe librat që njerëzit lexonin dikur nuk janë asgjë krahasuar me TikTok apo Instagramin.
“Modeli i biznesit i këtyre aplikacioneve është të të bëjnë të humbësh nocionin e kohës,” – tha ajo. “Para TikTok-ut, njerëzit thjesht lexonin gazetën ose çfarëdo që u binte në dorë. Nuk ishte në këtë nivel shpërqendrimi.”
Duhet bërë më shumë punë për të kuptuar pasojat shëndetësore, por Pasricha beson se aplikacionet e smartfonëve zgjasin kohën në tualet, çka rrit presionin në indet anale, duke shkaktuar hemorroide.
“Nëse thjesht po qëndron aty pa bërë asgjë, ky presion pasiv me kalimin e kohës bën që indet lidhëse të dobësohen dhe venat të fryhen,” – shpjegoi ajo.
Një çështje shqetësuese lidhet me të rinjtë. Në një studim në vazhdim me studentët e kolegjit, gati të gjithë pranuan se e marrin telefonin në tualet, duke ngritur shqetësime se adoleshentët e sotëm mund të zhvillojnë hemorroide më herët se brezat e mëparshëm.
Hemorroidet prekin deri në 25% të të rriturve, dhe ndonëse shumica shërohen vetvetiu ose me trajtime të lehta, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar kryhen mbi 20 mijë ndërhyrje kirurgjikale çdo vit për këtë problem.
Për ata që nuk e imagjinojnë dot tualetin pa telefon, Pasricha jep një këshillë të qartë:
“Vendosni një kufi prej dy TikTok-esh. Nuk duhet të mbeteni të bllokuar në ciklin e pafund të videove, duke harruar pse erdhët aty në radhë të parë.”/TheGuardian
© SYRI.net