Triumfi i një dashurie, Argjentina e Messit dhe miliona të 'çmendurve' pas futbollit

Triumfi i një dashurie, Argjentina e Messit dhe miliona të 'çmendurve' pas futbollit

13:42, 20/12/2022
A+ Aa A-

Argjentina fitoi për herë të tretë Kupën e Botës, duke mposhtur me penallti Francën. Argjentinasit shënuan 2 herë me Messin dhe Di Marian që në pjesën e parë përballë ”gjelave” të cilët nuk reagonin.

Por, gjithçka ndryshoi në minutën e 80, kur Mbappe shkurtoi diferencën me penallti e vetëm një minutë më pas shënoi edhe golin e barazimit. Ndërsa, në kohët shtesë ishin sërish Messi dhe Mbappe, të cilët shënuan për ekipet e tyre.

Pas reagimeve të shumta për triumfin e Argjentinës, nuk mund të mungonte edhe ai i legjendës braziliane Pele.

Përmes një postimi në Instagram, ai u shpreh se Mesi e meritonte Kupën dhe se tani Diego Maradona po buzëqesh nga atje ku është.

“Sot, futbolli vazhdon të tregojë historinë e tij, si gjithmonë, në një mënyrë magjepsëse. Lionel Mesi duke fituar Botërorin e tij të parë, ashtu siç e meritonte trajektorja e tij. Miku im i dashur Kilian Mbape duke shënuar katër gola në një finale. Sa dhuratë ishte të shikoje këtë spektakël për të ardhmen e sportit tonë. Dhe nuk mund të mos përgëzoja Marokun për fushatën e jashtëzakonshme. Është e mrekullueshme të shohësh Afrikën të shkëlqejë. Urime Argjentinë! Sigurisht që Diego po buzëqesh tani”, përfundoi Pele.

Kthimi i Argjentinës në shtëpi, mijëra njerëz pushtojnë aeroportin dhe presin në mënyrë madhështore kampionët e botës

Fituesja e Kupës së Botës, Argjentina mbërriti në Buenos Aires në orët e para të mëngjesit të së martës. Mijëra turma masive ishin rreshtuar nëpër rrugë dhe brohoritën kthimin e kampionëve të tyre.

Kapiteni Lionel Mesi doli i pari nga avioni, duke mbajtur lart trofeun e artë. Më pas doli edhe pjesa tjetër e ekipit teksa para tyre ndodheshin gazetarë, zyrtarë dhe një grup muzikor.

Dhjetëra mijëra njerëz valëvitën flamurin argjentinas dhe ndezën fishekzjarre gjatë natës.

ImageImageImage

 

2 milionë njerëz dalin në Sheshin e Republikës

Obelisku i vendosur në Sheshin e Republikës ishte epiqendra e titullit të tretë botëror për kombëtaren e Argjentinës.

Ndërkohë, në “Champs Elysees” u panë pamjet e trishtimit, pas rrëzimit të Francës pas goditjeve të penalltive.

Në një finale të tillë, fituesi dhe humbësi janë dy anët e së njëjtës medalje. Gëzimi i fitores është po aq i fortë sa trishtimi i humbjes. Mijëra kilometra larg, Buenos Aires dhe Parisi u bashkuan këtë të diel nga ndjenjat që, pavarësisht se janë të kundërta, plotësojnë njëra-tjetrën.

FESTIMET- Sa shumë emocione të përjetuara ditën e diel ku me qindra mijëra njerëz kishin mbushur sheshin kryesor “Plaza de la Republica” në Buenos Aires, për të ndjekur finalen e madhe të Kupës së Botës “Katar 2022”, aty ku Lionel Mesi me shokë ia dolën të triumfojnë dhe të rikthejnë trofeun në Argjentinë pas plot 36 vitesh, që nga koha e legjendës Maradona.

Finalja e “Lusail Stadium” prodhoi më shumë se 120 minuta dramatike dhe në fund gjithçka u vendos nga penalltitë, teksa pas gjuajtjes së saktë të Montiel, ankthi u shndërrua në festë e lot gëzimi tek argjentinasit që kishin mbushur sheshin. Në momentin e penalltive shiheshin njerëz që ishin ulur në gjunjë duke u lutur për triumfin e shtetit të tyre.

Në sheshin e famshëm në kryeqytetin e Argjentinës, ku ndodhet edhe një obelisk gjigant, pas shpalljes kampione bote të kombëtares së tyre, numri i personave që kanë dalë për të festuar duke mbushur edhe rrugët afër sheshit, ka shkuar deri në 2 milionë.

SHPËRTHEN NAPOLI- Po ashtu edhe në qytetin e Italisë kanë shpërthyer festimet për suksesin e Argjentinës. Shumë napolitanë dhe argjentinas ishin mbledhur për të kënduar dhe shfaqur flamuj të “Albiçelestes”.

Shumë e ndoqën ndeshjen në lagjen spanjolle, pranë Muralit të Maradonës. Dhe pikërisht aty shpërtheu festa e madhe, së cilës iu bashkuan edhe shumë napolitanë, të cilët në mungesë të Italisë në këtë Botëror, festuan për Argjentinën në kujtim të Diego Maradonës, që ka qenë gjithmonë “urë” mes Napolit dhe Buenos Airesit.

 

Personazhi i dytë në planet më i ndjekur në Instagram, fotoja e Mesit me kupën e Botërorit bën namin

Image

Të gjithë sytë e botës, pasditen e së dielës ishin te finalja e madhe Argjentinë-Francë, që përfundoi me triumfin e kombëtares “albiçeleste”.

Leo Mesi u bë personi i dytë në planet me mbi 400 milionë ndjekës në Instagram, duke iu bashkuar rivalit të vjetër Cristiano Ronaldo, i cili ka 518 milionë ndjekës. “Pleshti” shtoi pesë milionë ndjekës të dielën dhe 20 milionë gjatë 30 ditëve të fundit, sipas “Social Blade”, një platformë analitike e mediave sociale.

Menjëherë pas triumfit në Botëror, Mesi postoi një foto festive të tij duke mbajtur mbi kokë Kupën e artë të Botës.

Postimi u pëlqye nga 50 milionë njerëz në 20 orët e para dhe është gati të thyejë rekordin e të gjitha kohërave për pëlqimet në Instagram me një postim, që është 56 milionë në një postim të një veze të vitit 2019.

Image

Mesi tashmë kaloi postimin që mbante vendin e dytë, një foto e tij dhe Ronaldos duke luajtur shah në një reklamë të Louis Vuitton muajin e kaluar.

Ylli argjentinas ka fituar më shumë se 1.2 miliardë dollarë gjatë karrierës së tij nga rrogat, shpërblimet dhe trashëgimia e tij si futbollisti më i madh në botë do ta mbajë atë si një futbollist popullor kur të mbyllë karrierën e tij përgjithmonë, pjesërisht falë atyre 400 milionëve ndjekësve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco