Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët në ditën e 55 të protestës, kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Flet nëna e djalit autik: Po kthehesha në shtëpi, Rama hyri në gjynah me djalin tim!

Flet nëna e djalit autik: Po kthehesha në shtëpi, Rama hyri në gjynah me djalin tim!

20:02, 24/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gruaja e cila një ditë më parë u sulmua nga policia me ujë me piper, teksa kalonte pranë Parlamentit me të birin me spektrin autik, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili sot tha se ajo është përdorur nga ata protestues që kreu i qeverisë i cilëson si “sorra e korba”.

Në një video të publikuar nga gazetari Osman Stafa, ajo thotë se nuk ishte te Parlamenti si pjesë e protestës, por po kalonte aty rastësisht, teksa kthehej nga terapia e të birit.

Ajo i është drejtuar kryeministrit duke i thënë: “Mos i hy në gjynah çunit”, ndërsa i kërkon të ballafaqohet me të për pretendimet e ngritura.

“Unë nuk isha fare në protestë, po vija nga Kamza. Çova çunin në terapi dhe rruga ishte bllokuar. Duke ardhur nga Parlamenti, më hodhën piper në sy. Rastësisht kalova. Të vijë të përballet me mua kryeministri, ja them në surrat. Të vijnë edhe policët.

Te Parlamenti ishin zënë rrugët. Kur kalova në mëngjes ishte hapur, kur u ktheva ishte bllokuar. Na hodhën piper në sy. A i hidhet djalit piper në sy? Jo, kryeministër, jo. Mos i hy në gjynah çunit. Do të të gjejë belaja e çunit tim. Të ballafaqohet me mua Edi Rama”, shprehet ajo.

Image

Ndër të tjera, gazetari ka treguar edhe kushtet e vështira në të cilat gruaja me të birin jetojnë. Siç ka treguar vetë ajo, që prej ditës së djeshme njësia bashkiake e ka transferuar në një banesë sociale, ku, siç shihet edhe nga pamjet, kushtet janë të vështira.

“Më sollën mbrëmë këtu. Te shtëpia tjetër nuk kisha drita, këtu nuk kishte ujë, por ma sollën sot”, ka thënë ajo.

Në fund, nëna e djalit 19-vjeçar kishte edhe një apel për kryeministrin, të cilit i kërkoi të mos ia përdorë të birin në fjalët që thotë.

“I ka hyrë në gjynah djalit tim. I them të mos përdorë çunin tim me ato fjalë që përdor. Nuk kam qenë në protestë dje. Atje te Kryeministria kam dalë për hallet e mia, për çunin tim”, përfundoi ajo.

DEKLARATA E EDI RAMËS

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e qeverisë dhe Grupit të PS-së, komentoi edhe sulmin ndaj nënës dhe djalit të saj me spektër autik, të cilët u prekën nga gazi lotsjellës gjatë protestës pranë Parlamentit, duke u shprehur se nënë e bir u përdorën politikisht nga ata që i cilëson si “sorrat dhe korbat” e bulevardit.

Rama ai drejtoi gishtin protestuesve dhe jo Policisë që hodhi gazin lotsjellës, duke thënë se e përdorën gruan me “dorën e tyre të solidaritetit hipokrit”. Sipas Ramës, ata “abuzuan” me dhimbjen e gruas dhe fëmijës së saj me “të njëjtin manual që përdorin terroristët kur abuzojnë gratë e fëmijët”.

“Dje atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te parlamenti për ta kthyer në viktimën e policisë që ishte aty për të mbrojtur deputetët nga të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë. Ne sapo i kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë, kemi rritur mbështetjen e dhe për nënat e tyre. Ky është fakti ynë i thjeshtë, ndërsa përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar, ose edhe mund të jetë për dyfishimin e mbështetjes për djalin, por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, në atë fundin e atij hendekut, mes faktit tonë dhe përjetimit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese.

Aty në fund të hendekut e futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë me vete te parlamenti dhe për të abuzuar me atë nënë me fëmijën autik, të njëjtin manual që përdorin terroristët kur abuzojnë gratë e fëmijët duke i përdorur si mburojë teksa sulmonin me maska policinë e shtetit. Më pas e vunë dhe përpara kamerës. E përdhunuan dhe e nxorrën ne mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit.

Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për tek mikrofoni në bulevard njësoj si ata skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë të tjerët mish për top dhe më pas kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz duke mbajtur fjalime dhe kërkuar që zoti të dënojë terroristët në pushtet, në emër të viktimave të shtetit policor.”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco