Aktivistja Sidorela Vatnikaj, një nga organizatoret e protestës 55-ditore pa ndërprerje kundër qeverisë, ka deklaruar se protesta do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke e vendosur si kërkesë kryesore dorëheqjen e Edi Rama.
E ftuar nw Edicionin ‘Ora 19’ nw SYRI TV, Vatnikaj ka komentuar deklaratat e Ramws për protestuesit, duke u ndalur te termat ‘korba’ dhe ‘sorra’ të përdorura prej tij. Vatnikaj tha pwr moderatorin Bled Marku, se protestuesit me simbolet e flamingove kanë qenë të pranishëm edhe gjatë përplasjeve të fundit me policinë.
Vatnikaj deklaroi se gjatë 55 ditëve të protestës është kërkuar një ‘kontratë e re’ mes shoqërisë dhe shtetit, ndërsa akuzoi qeverinë për korrupsion dhe kriminalizim. Sipas saj, protesta kërkon edhe ndryshime konkrete ligjore dhe institucionale, përfshirë anulimin e paketës së maleve, ligjit për investitorët strategjikë dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Ajo kërkoi gjithashtu kufizimin e mandateve të kryeministrit në dy mandate, krijimin e një qeverie tranzitore njëvjeçare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të pandikuara nga krimi dhe oligarkia.
‘Është ironike në fakt sesi përdoret termi i korbave dhe sorrave nga kryeministri Rama si term pezhorativ, pasi korbat dhe sorrat në fakt kanë një punë shumë të rëndësishme që e pastrojnë vendin nga krimbat. Në këtë kuptim, protestuesit, në qoftë se kryeministri Rama do t'i shohë si korba dhe sorra, po bëjnë punën më të rëndësishme, më të dinjitetshme për shtetin shqiptar se po e pastrojnë shtetin shqiptar nga korrupsioni, nga autokracia e Edi Ramës. Ndërkohë, sa për të thënë a janë, a vazhdojnë të jenë flamingot ende në protestë, ndoshta Edi Rama nuk i ka parë pamjet e përplasjes së djeshme me policinë, ku kanë qenë në fakt protestues me flamingo në dorë që janë dhunuar brutalisht nga policia, që janë arrestuar. Kështu që ky shesh nuk është i ndarë në flamingo dhe sorra. Ne jemi të gjithë flamingo, jemi të gjithë korba dhe sorra që po pastrojmë shtetin shqiptar nga keqqeverisja, nga korrupsioni dhe nga krimi që ka sjellë në Shqipëri dhe e ka instaluar kryeministri Rama.
Në fakt, kryeministri Rama ka folur gjatë sot për të mos thënë asgjë edhe për të na lënë të kuptuar që nuk ka kuptuar asgjë nga kërkesat tona. Nuk bëhet fjalë këtu për pritshmëri ndaj qeverisjes së kryeministrit Rama. Është e qartë, kërkesa e parë thelbësore dhe e padiskutueshme është dorëheqja e tij. Është brohoritur në shesh për 55 ditë. Sigurisht që pika që na nxorri në shesh ishte dhuna e ushtruar në Zvërnec ndaj një protestuesi nga një polici private, që ishte më e fuqishme në fakt edhe se policia e shtetit.
Pikërisht ky episod, i cili na tregoi të gjithëve se shteti tanimë është në duart e të fortëve dhe jo të institucioneve shtetërore, i nxorri të gjithë shqiptarët në shesh për të thënë se ne nuk jemi më dakord, nuk na përfaqëson më regjimi i të fortëve, i autokracisë, i oligarkisë dhe i krimit që ka vendosur Edi Rama. Përgjatë 55 ditëve është kërkuar një kontratë e re mes shoqërisë dhe shtetit, dhe jo shoqërisë dhe Edi Ramës. Edi Rama dhe ajo që ai përfaqëson, qeveria në gjykimin tonë më e korruptuar dhe më e kriminalizuar, duhet pa diskutim që të ikë.
Nga aty fillon një dialog i ri i shoqërisë, dhe në fakt pasqyra që Edi Rama ka përdorur si metaforë sot, nuk ka qenë pasqyrë ku qeveria e tij mund të shihte vetveten. Kjo protestë ka qenë pasqyrë ku shoqëria ka riparë vetveten. Kjo shoqëri e shtypur, e dhunuar, e cila është qeverisur nga krimi, nga oligarkia, nga media e kapur.
Kjo shoqëri pati mundësi të shikonte vetveten dhe të thoshte që, po, ne ia dalim të kemi edhe artikulim politik dhe qëndresë dhe ta bëjmë vetë shtetin, dhe të mos qeverisemi më nga një bandë e korruptuar kriminale si banda e Edi Ramës. Në 55 ditë është kërkuar edhe një fillim i ri në një shoqëri të re, fundi i tranzicionit 36-vjeçar me zgjedhje të lira, të ndershme, të pandikuara nga krimi i organizuar.
Kjo është lehtësisht e kontrollueshme dhe kryeministri Rama vazhdimisht, edhe sot, ka gënjyer siç bën vazhdimisht. Ne kemi parë qëndrimet edhe të eurodeputetëve, edhe të aktivistëve të shoqatave mjedisore, kemi pasur deklarata edhe nga institucionet evropiane, të cilat i kërkojnë me urgjencë anulimin e ndryshimeve që kanë bërë në ligjin për zonat e mbrojtura.
Tanimë e vërteta është në dritë të diellit dhe gënjeshtrat e tij të njëpasnjëshme, 1 orëshe, 2 orëshe apo 3 orëshe qofshin, nuk mund ta ndryshojnë realitetin që është i qartë. Kryeministri Rama është totalisht i delegjitimuar edhe nga sheshi, edhe nga rezistenca e qytetarëve, por edhe nga mbështetja e institucioneve ndërkombëtare që i mungon dhe që po i thonë në mënyrë urgjente duhet të anulojë ligjin për investitorët strategjikë, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, paketën e maleve që ai e mbron aq shumë. Kështu që nuk themi ndonjë gjë të re për faktin që është një qeveri gënjeshtare.
Për fat të keq është totalisht zhgënjyese të shikosh sesi një kryeministër, i cili ka prej 55 ditësh të gjitha shtresat e shoqërisë në shesh, por mbi të gjitha ka shtresat më të varfëra. Kemi pasur deklarata, fjalime nga njerëz të lënë në mëshirë të fatit, nga njerëz që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, pensionistë, minatorë, shtresa më e varfër dhe më e nëpërkëmbur, të sëmurë që u mungojnë ilaçet në spitale, që kërkojnë për një shtet të së drejtës që të financojë më shumë në këto sektorë, ndërkohë që kryeministri Rama zgjedh paturpësisht të financojë koncertin privat të një artisti problematik me prirje neonaziste. Sigurisht që ne e kemi kundërshtuar këtë, për ne ka qenë një akt dëshpërues i qeverisë për të rregulluar imazhin e vet ndërkombëtarisht, por që besojmë që e ka rrënuar edhe më shumë.
Kjo tregon që ata s'kanë kuptuar asgjë nga mesazhet që kanë dhënë qytetarët në 55 ditë. Këtu nuk është më problem algoritmi, nuk është problem as i agjenturave, as i ndonjë sajese që ata janë munduar të ndërtojnë në 55 ditë. Këtu është mllefi i qytetarëve shqiptarë që duan t'i thonë tranzicionit 36-vjeçar stop, që duan një Shqipëri të re, me institucione të reja ku mund të besojnë, që përfaqësohen, që duan një parlament që i përfaqëson interesat dhe nevojat e tyre dhe jo të krimit dhe oligarkisë.
Për fat të keq shohim që jo vetëm që nuk kemi përgjigje reflektuese nga kryeministri Rama që është totalisht i delegjitimuar dhe duhet të kishte dhënë dorëheqjen së bashku me gjithë qeverinë, por megjithatë mendoj se përpjekjet e tij dëshpëruese për të bërë një gabim pas gabimi, në sajë të arrogancës ashtu siç ishte edhe dhuna e papranueshme, e pajustifikueshme e policisë së shtetit dje ndaj protestuesve paqësorë, tregojnë se në fakt qeveria nuk është më vetëm e delegjitimuar, por po sillet si bandë kriminale duke mos respektuar asnjë ligj, asnjë protokoll për ndërhyrje, absolutisht asgjë.
Padiskutim që protesta do të vijojë sepse asnjë nga kërkesat që ne kemi parashtruar, duke filluar me kryesoren dhe nga e cila fillojnë të gjithë të tjerat, dorëheqja e kryeministrit Rama, nuk është marrë parasysh. Megjithatë, edhe për të bërë një rikujtesë të kërkesave, ne kërkojmë së pari dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe të gjithë qeverisë, anulimin e paketës së maleve, anulimin e ligjit për investitorët strategjikë, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Kërkojmë që një kryeministër gjatë gjithë jetës së vet politike të mund të rizgjidhet si kryeministër vetëm dy mandate, kërkojmë një qeveri tranzitore njëvjeçare e cila do ta çojë vendin në zgjedhje të paprekura dhe të pandikuara as nga krimi dhe as nga oligarkia. Dhe së fundi kërkojmë një kontratë të re dhe kjo është premisë e thellë politike, një kontratë të re mes shoqërisë dhe shtetit, ku shteti është përfaqësues i njerëzve që e zgjedhin, nuk është përfaqësues as i oligarkisë, as i autokracisë në pushtet, as i krimit të organizuar.
Sigurisht që ne do të vazhdojmë deri në momentin që të gjitha këto kërkesa do të realizohen. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ikjen e një individi që absolutisht mendoj që është nga problemet më të mëdhaja që ka sot Shqipëria. Bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor në sistem dhe asnjë ndryshim në qeveri nuk mund të jetë më i mjaftueshëm për këtë shesh që të shpërndahet. Ne kërkojmë dorëheqjen e të gjithë qeverisë dhe qeveri tranzitore 1-vjeçare që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira.
Jo vetëm që mendojmë se do ta arrijmë, por çdo ditë themi se jemi një ditë më afër. Kështu që jemi këtu me besim edhe në qëndresë, për faktin se kjo dhunë që na është ushtruar në të gjitha këto dekadat, si ne si familjarëve tanë’, tha ndër të tjera aktivistja Sidorela Vatnikja në SYRI TV.
© SYRI.net