Kreu demokrat ka reaguar për projektin e Edi Ramës për të shkurtuar edhe 20 bashki.
“Rama do të heqë edhe 20 bashki, zgjidhja e parë janë protestat e fuqishme në këto bashki”, tha lideri i opozitës shqiptare.
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Zoti Berisha, jeni rikthyer ditën e djeshme në seancë, pasi nuk morët pjesë në dy seancat e fundit për shkak se kërkesat tuaja për të shqyrtuar në seancë kërkesat e protestuesve nuk u pranuan nga mazhoranca.
Ndërkohë dhe ditën e djeshme vijoi e njëjta situatë. Gjithashtu pritet që edhe raporti i komisionit për reformën territoriale nga ana e mazhorancës të paktën të miratohet.
Cila do të jetë qasja e Partisë Demokratike dhe e opozitës, qoftë nëse mazhoranca do të shkojë drejt miratimit të vetme të reformës territoriale, por dhe qoftë në lidhje me sjelljet e saj e cila përdor forcën e kartonit për të rrëzuar të gjitha kërkesat tuaja?
Sali Berisha: E vërteta është ajo që thoni ju, se në mënyrë të papritur Edi Rama urdhëroi ndërprerjen e një procesi në vazhdim, për të cilin palët ishin plotësisht dakord të kërkohej shtyrja mbasi nuk kishte përfunduar as procesi i konsultimeve publike. Dhe pavarësisht nga dakordësia e arritur në komision për shtyrjen e afatit të punimeve të komisionit, Edi Rama e futi në rend dite për ta mbyllur këtë.
Çka jemi të sinqertë nuk përbën një habi, mbasi që në fillim ne theksuam se ne jemi këtu për të mbrojtur interesat e qytetarëve, dhe duhet të jemi të sinqertë, kishim shumë kërkesa nga qytetarë të bashkive të ndryshme që të jemi pjesë e saj dhe u bëmë pjesë me të gjithë energjitë tona.
Tani ai kërkon të zbatojë më tej politikën e shpopullimit duke hequr edhe 20 bashki të tjera.
Zgjidhja e parë janë protestat e fuqishme në të gjitha këto bashki dhe në të gjithë vendin.
Javën që kaloi ai çoi 1.5 miliardë euro në bashkitë e tij në vitin elektoral. Nuk bën zgjedhje. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, ndaj edhe ne duhet të shpëtojmë vendin nga ky tiran.
© SYRI.net