VIDEO/ Boçi: Reforma territoriale po bëhet nga PS vetëm për interesa politike dhe elektorale

20:09, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka akuzuar mazhorancën socialiste se po tenton të miratojë një ndarje të re territoriale pa marrë parasysh dëgjesat publike, opinionet e qytetarëve dhe propozimet e ekspertëve.

I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, Boçi tha se drafti për reformën territoriale do të përfundonte në fund të tetorit ose fillim të nëntorit, por sipas tij procesi po vazhdon në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialist  

Sipas deputetit demokrat, në mbledhjen e fundit të komisionit, më 15 korrik, PS paraqiti një raport final të ekspertëve të saj, pa marrë në konsideratë procesin e dëgjesave dhe materialet e mbledhura gjatë punës së komisionit.

Ai theksoi se një nga risitë e kësaj reforme ishte përfshirja e qytetarëve në proces, ndryshe nga reforma e vitit 2014-2015. Boçi pretendoi se komisioni nuk mund të prodhonte një raport përfundimtar, pasi nuk kishte pasur dakordësi mes palëve dhe rendi i ditës nuk ishte miratuar.

‘Projekti për ndarjen territoriale do të duhej të bëhen gati në fundin e tetorit dhe fillimin e nëntorit.

Dhe ajo që ne kemi kërkuar ka qenë pikërisht kjo dhe në mbledhjen e fundit të datës 15, që ka qenë data e fundit e afatit kohor të komisionit, por që Partia Socialiste çuditërisht nxorri një as in nga mënga dhe kërkoi që paraqiste një raport final të ekspertëve të saj, pa konsideruar as dëgjesat që janë bërë, as dëgjesat që nuk janë bërë se nuk mund të konsiderohen, as të dhënat që janë kërkuar nga institucionet, as opinionet që vijnë nga dëgjesat tematike dhe as mendimet e vetë qytetarëve bruto që ishte pjesa e risisë së kësaj reforme.

Që ishte dhe, të themi, ajo që i dha formën kësaj reforme, origjinalitetin, sepse 2014-a, 2015-a nuk kishin elementin e dëgjesave publike, e dëgjesave të njerëzve, të atyre që pësojnë direkt cilësinë e drejtimit të pushtetit vendor.

Dhe nuk ka pasur dakordësi sepse komisioni është, thashë edhe një herë, në përbërje të barabartë, rendi i ditës nuk u miratua dhe patjetër që nuk mund të kishte produkt. Por e majta nuk ka pyetur për këtë pengesë ligjore, megjithëse në sallë të parlamentit patë që Peleshi apo Balla betoheshin në emër të rregullores, që e duan shumë dhe respektojnë, dhe pretendojnë që në datën 23 të paraqesin këtë lloj raporti.

Raporti gjoja është hartuar nga ekspertët. Në fakt, grupi i ekspertëve duhet të jetë unitar. Vërtet janë, të themi, propozuar nga PD-ja dhe nga PS-ja, por ekspertët janë jopolitikë, duhet të punojnë bashkë. Ekspertët nuk janë mbledhur as edhe një herë bashkë përgjatë kësaj periudhe.

Nuk ka një mbledhje të regjistruar, shënuar, dhe kuptohet që ky raport është krejtësisht i anshëm, krejtësisht i parapërgatitur, krejtësisht politik. Sepse ai ndjek pikërisht atë gjë që është parathënë që në nisje të këtij komisioni, në mbledhjen politike të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku u hodhën pastaj edhe ato variantet që tani rihidhen prapë.

Dhe është krijuar një lloj amullie pa pyetur njerëzit, pa pyetur deputetët e tyre, pa pyetur kryetarët e bashkive, sepse në dëgjesa janë ngritur dhe kanë thënë që duam që bashkia ime të qëndrojë. Qytetarë të tjerë jopolitikë kanë thënë që duhet të ndahen bashkitë.

Është kërkesa e tyre. Shumë njerëz që vijnë nga shoqatat e pavarura kanë kërkuar rritjen e numrit të bashkive se mungon shërbimi, mungon përfaqësimi, mungon zhvillimi i territorit, ka shpopullim, kemi pasoja shumë negative për shkak të mungesës së dorës së pushtetit vendor.

Por asgjë nuk konsiderohet dhe thjesht përsëritet skema e 2014-ës, hidhet për konsum një hartë, e cila e dinë, është politike. Pse është politike? Ka, po sjell vetëm dy argumenta për shikuesin. Është çështje votash. Kemi dëgjuar që, dhe përfaqësues të komisionit nga PS-ja, do bashkohet Librazhdi me Prrenjasin.

Pse?

Sepse Prrenjasi mund të humbitet dhe kompensohet me votat e Librazhdit. Një formulë shumë e thjeshtë. Ose pjesa tjetër, bashkohet Memaliaj me Tepelenën. Kush është arsyeja? Votat e Memaliajt janë sot të orientuara djathtas, ndërsa votat e Tepelenës janë të orientuara majtas. Pra kjo është ajo dhe është shumë e thjeshtë.’, u shpreh Luçiano Boçi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco