Protestuesja nga Kanadaja në protestën e Tiranës: Shqiptarët në gjithë botën janë me ju, Rama të japë dorëheqjen

Protestuesja nga Kanadaja në protestën e Tiranës: Shqiptarët në gjithë botën janë me ju, Rama të japë dorëheqjen

20:15, 04/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një qytetare e pranishme në protestën para Kryeministrisë ka shprehur mbështetjen e saj për protestuesit, duke sjellë edhe mesazhin e shqiptarëve të Montrealit në Kanada.

Ajo u shpreh se shqiptarët në diasporë janë solidarizuar me tubimet në Tiranë dhe se kërkojnë një shtet të së drejtës, me institucione që respektojnë qytetarët.

“Jam shumë krenare që jam sot mes jush. Shoh shumë shqiptarë të mirë, të ndershëm dhe atdhetarë, të cilët prej 50 ditësh janë këtu duke protestuar. Nuk është e thjeshtë të luftosh 50 ditë rresht kundër një sistemi të korruptuar”, deklaroi ajo.

Qytetarja tha se mesazhi i saj vinte edhe nga shqiptarët e Montrealit, të cilët sipas saj zhvillojnë protesta në mbështetje të kauzave të ngritura në Tiranë.

“Si protestoni ju këtu, ashtu protestojmë edhe ne atje. Ju mbështesim në çdo kauzë që keni parashtruar. Çdo javë mblidhemi te sheshi ‘Nënë Tereza’ që e kanë krijuar shqiptarët e Montrealit”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se shqiptarët brenda dhe jashtë vendit kërkojnë një shtet ku të respektohet prona private, të ofrohen shërbime cilësore në shëndetësi e arsim dhe të ketë një drejtësi të pavarur nga pushteti.

Ne besojmë se shqiptarët janë në gjendje të bëjnë një shtet. Nuk kemi asgjë më pak se të tjerët. Nëse duam, mund ta bëjmë jo vetëm si Evropa, por edhe si Zvicra”, tha qytetarja.

Në fund të fjalës së saj, ajo përcolli mbështetjen e shqiptarëve të Montrealit për protestuesit dhe bëri thirrje për vijimin e qëndresës.

“Jeni më të mirët, jeni atdhetarë dhe po frymëzoni jo vetëm shqiptarët e Montrealit, por shqiptarët në të gjithë botën dhe rininë kudo. Kërkojmë që Rama të japë dorëheqjen përfundimisht”, përfundoi ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco