Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi poshtë krahasimet mes mënyrës së prezantimit të kandidatëve për strukturat drejtuese të PD-së dhe praktikës së ndjekur nga kryeministri Edi Rama.
Në një prononcim për mediat, Berisha tha se kandidatët janë njoftuar paraprakisht dhe se kjo procedurë synon të kufizojë sa më shumë lobimin brenda partisë.
Ai u shpreh se lobimi nuk mund të eliminohet plotësisht, por mund të reduktohet, ndërsa shtoi se, nëse ndonjë kandidat e ka mësuar emrin vetëm në sallë, kjo ka ndodhur për arsye të veçanta.
FJALA E BERISHËS:
Pyetje: Edhe një pyetje tjetër zoti Berisha. Ka nga ata që krahasojnë sjelljen tuaj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kur prezantoni kandidaturat për sekretariatet, me atë që bën Edi Rama kur i njofton ministrat aty në sallë se do jenë ministra. E krahasojnë këtë me njoftimin që ju bëni...
Sali Berisha: Jo, e kanë marrë më përpara vesh.
Pyetje: Sa orë përpara zoti Berisha?
Sali Berisha: Tani sa orë përpara e dinë ata. Ka një moment, do t'jua them haptas. Për zvogëlimin se s'ka asnjë arsye tjetër, por për zvogëlimin në maksimumin e mundshëm të lobimit, që nuk e përjashton dot kurrë, por mbahet një rezervë, se për mua unë mund t'jua kisha dhënë ju që në mëngjes. Por problemi i lobimit nuk është se nuk është një problem shqetësues.
Pyetje: Jeni kundër lobimit brenda partisë?
Sali Berisha: Jam kundër, por nuk e ndalon dot, nuk e ndalon dot absolutisht. Unë nuk di një mekanizëm ta ndaloj, po mund ta zvogëlosh atë. Kështu që e vetmja gjë, në qoftë se ka mbetur ndonjë njeri që e ka marrë vesh në sallë, kjo është habi sepse ata që kur i kanë marrë nga unë ka patur një porosi të prerë që të njoftohen që të gjithë paraprakisht. Dhe mund të ketë mbetur ndonjë tek-tuk për një arsye s'ka hapur telefonin...
© SYRI.net