Në protestën e 46-të radhazi para Kryeministrisë, një aktiviste e lëvizjes qytetare deklaroi se rezistenca kundër qeverisë është shndërruar në një lëvizje mbarëkombëtare, duke bashkuar shqiptarë nga Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani, diaspora në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjatë fjalës së saj, ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama për qeverisje autokratike dhe lidhje me oligarkinë, ndërsa përsëriti kërkesën kryesore të protestuesve për dorëheqjen e menjëhershme të kreut të qeverisë.
Aktivistja kërkoi gjithashtu shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, anulimin e ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe heqjen e të ashtuquajturës “paketa e maleve”.
Aktivistja: Kushdo kur nisi, askush nuk e priste që të zgjaste kaq shumë, që të bashkonte kaq shumë shqiptarë, jo vetëm në Tiranë, po në Vlorë, në Elbasan, në Shkodër dhe në të gjitha qytetet evropiane dhe në Amerikë ku jetojnë shqiptarët.
Për 46 ditë kemi protestuar për tërheqjen zvarrë të një protestuesi, që në fakt nuk është tërhequr zvarrë vetëm ai. Para 46 ditësh, kur një protestues që protestonte kundër një ndërtimi në zonat e mbrojtura u tërhoq zvarrë përpara syve të policisë së shtetit, në fakt jemi tërhequr zvarrë të gjithë! Është tërhequr zvarrë një Shqipëri demokratike. Është tërhequr zvarrë ëndrra jonë për një Shqipëri që nuk qeveriset nga bandat dhe nga krimi.
Jemi sot për 46 ditë, ditë pas dite. A e mbani mend reagimet e para të kryeministrit? Në fakt në fillim na tha se jemi agjentë grekë. Pastaj na tha se jemi agjentura të tjera, herë irani, herë serbi. Asnjëherë nuk na njohu si shqiptarë të revoltuar që e përbuzim regjimin e tij oligarkik, autokratik, kriminal!
Për 46 ditë i kemi kënduar një refren të cilin ai me arrogancë refuzon ta dëgjojë. Kemi kërkuar dhe kërkojmë në mënyrë të menjëhershme: Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!
Për 46 ditë kemi kërkuar me qëndresë që t'i vijë fundi një sistemi ku një kryeministër herë është president, herë është kryetar partie, herë është kryebashkiak, por kurrë nuk ikën nga qeveria dhe qeverisja. Kërkojmë që në Shqipërinë e re që do të ndërtojmë, kryeministrat do të kenë vetëm dy mandate gjatë gjithë jetës politike!
Për 46 ditë kemi denoncuar çdo ditë një sistem oligarkik që ka privatizuar gjithçka. Që nga pushteti i kryeministrisë e deri tek lumi, tek mali, tek deti, tek hapësirat publike që janë tonat. Kemi parë se si çdo cep për të gjithë Shqipërinë është bërë investitor strategjik. Prandaj sot i themi: shfuqizoni ligjin për investitorë strategjikë! Anuloje ligjin! Anuloje ligjin!
Kemi parë për fat të keq se si ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura shkaktuan masakrën në Zvërnec dhe kanë rrezik të shkaktojnë masakra të tjera në zona të mbrojtura. I themi edhe sot: Edi Rama, anuloje ligjin!
Një vit më parë si sot, ndërkohë që ne protestojmë këtu, banorët e Thethit u përballën me atë që do të njihej më vonë si paketa e maleve, shkatërrimin e biznesit të ndershëm për t'ia dhënë oligarkëve. Prandaj sot kërkojmë: shfuqizo paketën e maleve! Edi Rama, anuloje ligjin!
Dhe në fund, dua të flasim edhe për një ëndërr politike. Atë që e kemi ndërtuar të gjithë këtu së bashku. Kur flasim për një Shqipëri të re, flasim për një shtet të së drejtës që i përket qytetarëve të saj. Flasim për një kryeministër jo të korruptuar, që nuk e fut krimin as në polici, as në parlament, dhe në asnjë sektor. Kërkojmë, si çdo ditë, një kontratë të re. Një kontratë ku zgjedhjet nuk vidhen as nga oligarku, as nga krimi i organizuar, por qytetarët e zgjedhin vetë nga se duan të përfaqësohen. Prandaj, sa herë t'ju thonë pyetjen më cinike: 'Po iku ky, kush do të vijë?', mendoni, a ka ky shesh më të mirë se Zeqineja? A ka ky shesh më të mirë se Belinda Balluku? A ka ky shesh dhe kjo shoqëri më të mirë se Sara Mile e Taulant Balla? Unë them se po! Prandaj, ky duhet të ikë! Dorëheqje! Dorëheqje!
© SYRI.net