Kreu i PD-së, Sali Berisha, foli jashtë selisë së partisë pas përfundimit të procesit së votimit për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese.
Berisha tha se PD ka mbyllur procesin e konstituimit të institucioneve të saj dhe se kjo përfaqëson një “ripërtëritje të thellë” të partisë.
Sipas tij, ekipi i ri drejtues është më i kompletuari në historinë e PD-së, me përfaqësim më të madh të të rinjve dhe grave.
Ai shtoi se ndryshimet do të vijojnë edhe në nivele të tjera të strukturave të partisë.
FJALA E BERISHËS:
Ditë shumë e rëndësishme në të cilën PD-ja mbyll procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve të saj. Kjo besoj se është e qartë, një frymë ripërtëritje në tërësi, në zbatim të motos më kryesore të Kuvendit që ishte ripërtëritja.
Pyetje: A është gati Partia Demokratike për të qenë fituese në zgjedhjet e ardhshme me këtë ekip që po votohet sot?
Sali Berisha: Me këtë sot, ajo ka një ekip që nuk e ka patur kurrë më parë. Të garantoj që një ekip si ky në kompetencë dhe eksperiencë, në formim, është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat dhe këtë ju mund të merrni të shqyrtoni me radhë. Në këtë ekip që ju keni sot para, ka personalitete të cilat kanë publikime në nivelet më të larta botërore. Ka prej tyre personalitete me eksperiencë të madhe në fushën e tyre, në fushën politike, pra unë them se asnjëherë në histori një ekip si ky nuk ka patur. Ka një përfaqësim më të madh se asnjëherë të të rinjve, dhe kjo është direktiva e Kuvendit, ka një përfaqësim të zonjave, ka pra një proporcionim të shkëlqyer të të gjitha sensitiviteteve, të të gjitha potencialeve të kësaj partie.
Pyetje: Zoti Berisha, ka pasur zëra kritikë edhe brenda PD-së që ky proces i ripërtëritjes ndoshta nuk është bërë i plotë në të gjitha shkallët. Pra ka shkuar deri tek niveli i sekretariatit apo edhe tek nënkryetarët, por kur ka shkuar, po themi për shembull, tek niveli i sekretarit të përgjithshëm, aty është stopuar ndoshta. Si i përgjigjeni?
Sali Berisha: Këto zëra janë normale, çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Por siç e shihni, ne votojmë me dy kandidatura, votojmë fshehtas, dhe njëherë them, që kandidaturat e paraqitura para Këshillit Kombëtar janë kandidaturat më, do të thosha, të pakrahasueshme në kualitetet e tyre me të zgjedhurit e mëparshëm.
Pyetje: Do të vijojë ky proces edhe me drejtuesit politikë në qarqe apo nuk do të ndryshojnë?
Sali Berisha: Tani, ky është një proces i vazhdueshëm, por gjithçka do jetë doradorës. Gjithçka do bëhet, ndryshimet që do dalin, se ne do presim rezultatet e votimit. Por them dhe njëherë, se ka një ripërtëritje të thellë të të gjithë udhëheqjes, drejtuese, të Partisë Demokratike, të paprecedentë.
© SYRI.net