'Smart City' një tjetër aferë korruptive'/ Xhaferri: Qeveria po e përdor sigurinë publike si justifikim për korrupsion

09:01, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, duke e akuzuar se po qeveris me arrogancë, pa transparencë dhe në dëm të interesit publik.

Xhaferri deklaroi se mazhoranca ka miratuar ligje të rëndësishme, si ai për zonat e mbrojtura, ligji për investimet strategjike dhe paketa e maleve, pa debat dhe pa transparencë, ndërsa shtoi se opozita do të vijojë të ngrejë shqetësimet e qytetarëve dhe të mbështesë protestat si formë presioni ndaj qeverisë.

Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë e të dhënave personale, duke pretenduar se ato janë keqpërdorur edhe më parë dhe duke shprehur mosbesim ndaj administrimit të tyre nga Policia e Shtetit, për shkak të rasteve të bashkëpunimit të zyrtarëve të policisë me grupe kriminale të hetuara nga SPAK.

Sa i përket projektit për sistemin inteligjent të kamerave, Xhaferri e cilësoi atë si një projekt që, sipas tij, rrezikon të shndërrohet në një tjetër aferë korruptive. Ai argumentoi se Shqipëria nuk ka mungesë teknologjie për të luftuar krimin, por mungesë vullneti politik për të goditur trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.

Më tej, Xhaferri akuzoi qeverinë se po dëmton marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe se po përdor fondet publike në mënyrë jo transparente, ndërsa theksoi se presioni qytetar mbetet, sipas tij, mënyra kryesore për të kërkuar llogaridhënie nga mazhoranca.

Xhaferri:

E dinë se çfarë po votonin, shkatërrimin e gjithë zonave të mbrojtura të Shqipërisë, po ashtu ligjin e investimeve strategjike, paketa e maleve e çdo e çdo gjë tjetër, të cilat kalojnë me shumë krenari nga këta deputetë që po i japin fundin e Shqipërisë. Pra, nuk ka transparencë, nuk do ketë transparencë për asnjë gjë, sepse kjo mazhorancë do të qeverisi, ka dëshirë të qeverisi me arrogancë. Transparencën e shohin si një dobësi të pushtetit të saj absolut që do të instalojë në Shqipëri. Kështu që nuk ka për të patur ndonjëherë transparencë. Transparencën e vetme gjë e bën, unë ju përgëzoj, jeni ju si televizion, që mundoheni të investigoni çdo detaj të këtij pushteti absolut.

Është një opozitë që bën deklaratat e saja, bën pyetjet e saja, ngre pikëpyetjet e qytetarëve dhe shpresoj që së fundmi do jetë dhe institucioni i protestës që po krijohet nga qytetarët në mënyrë që të detyrojë këtë pushtet absolut për të qenë llogaridhënës.

Garancia është që ato do keqpërdoren. Nuk ka garanci që nuk do keqpërdoren, garancia është që do keqpërdoren, siç janë keqpërdorur. Pra, siç janë keqpërdorur nga ushtria e patronazhistëve për fushata zgjedhore, siç u vodhën dhe dolën publikisht prej hakerave iranianë. Pra të dhënat shqiptare mund të jenë të dhënat më të dhunuara në gjithë rruzullin tokësor. Pra, të dhënat tona sensitive siç janë kompanitë tona, rrogat tona, të ardhurat tona, pasaportat tona, të dhënat tona biometrike, kudo janë sheshit.

Sot ato janë kudo, udhëtimet që kryejmë...

Doja të thoja edhe diçka tjetër që më kujtua, është që, më kujtua nga avokati që përmendi që do të jetë policia, me të drejtë policia do të jetë ajo që do t'i administrojë këto të dhëna, por policia ka patur në të shkuarën një histori shumë të zezë që ka informuar grupet kriminale për rivalët e tyre dhe kjo ka sjellë pastaj dhe në ekzekutime fizike, pra të të grupeve rivale. Dhe TIMS-i është një lloj sistemi të dhënash pra elektronik në kohë reale të cilat rivalët i kanë përdorur për të ekzekutuar njëri-tjetrin.

Po ashtu, SPAK ka nxjerrë histori makabre ku agjentë të krimeve apo shef të kriminalistikës edhe deri në nivel drejtori kanë informuar në kohë reale gjithë grupet më të rrezikshme kriminale, pra edhe fakti që do jetë policia e vetmja që do t'i administrojë, policia ka një rekord dhe një histori shumë të zezë në bashkëpunimin me krimin, për fat të keq.

 

Unë mendoj që shanset i ka të jetë një aferë, një aferë tjetër, apo një aferë inceneratori tjetër sepse është krijuar në ato tre kategori që përmenda më parë, nuk ka garë, nuk ka efiçencë buxhetore dhe qëllimi është i debatueshëm. Shqipëria nuk vuan në siguri publike se nuk ka mjete. Pra, një vend nuk ka nevojë për shumë teknologji që të jetë i sigurt. Një vend ka nevojë për vullnet për të qenë i sigurt.

Pra, vullnet politik, vullnet policor, vullnet shoqëror për të qenë i sigurt. Pra, në Shqipëri sot që hyjnë tonelata euro nga porti, nga aeroporti, nga kufiri, nuk hyjnë se nuk ka mjete për t'i monitoruar këto tonelata euro. Madje, hyjnë sepse këto mjete fiken, siç janë pasfikur radarët e ushtrisë kur eksportonim, dhe eksportojmë, drogë në shumicë, po atëherë eksportonim kanabis, sot eksportojmë kokainë. Pra çdo gjë është me sa vullnet ka. Shqipëria sot për të qenë një vend i sigurt ka nevojë për një qeveri e cila do të luftojë për sigurinë publike, do të luftojë pastrimin e parave, do luftojë trafikimin e lëndëve narkotike të cilat na kanë rrezikuar marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ne po mundohemi të krijojmë marrëdhënie strategjike me Lindjen e Mesme dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po humbim marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me botën e lirë.

Se normalisht bota e lirë nuk pranon një vend në mes të Evropës me narko-ekonomi, me narko-vizion edhe me narko-qeveri. Pra unë nuk mendoj se kjo ka përcjellë siguri publike më të madhe për Shqipërinë, por do të sjelli korrupsion akoma dhe më të madh në emrin e sigurisë publike. Dhe për këtë arsye mendoj dhe shpresoj që kjo të dështojë, dhe ka mundësi të dështojë, në rast se patjetër presioni i qytetarëve do vazhdojë, do rritet. Megjithëse gjasat dhe sinjalet duken jo inkurajuese, sepse ndërkohë që ne bëjmë protesta kaq të mëdhaja nga shoqëria civile, kryeministri shkon dhe jep 4 milionë euro për një këngëtar, apo tani do vazhdojë me të gjitha çmenduritë që kur ai vë në kokë do t'i vazhdojë dhe në mënyrë arrogante, jo transparente, që të tregojë se është akoma ai që qeveris. Por maska i ka rënë, mediat ndërkombëtare po ja çjerrin atë maskë. Në opinionin publik i cili ishte manipuluar me shumë para dhe me shumë dhunë dhe me shumë intimidim, po çlirohet dhe imazhi i Edi Ramës si një autokrat që keqpërdor taksat tona po del dhe po bëhet akoma dhe më i kristaltë në mendjet e qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco