Një debat i fortë në Facebook ka përfshirë biznesmenin Behgjet Pacolli dhe gazetarin Berat Buzhala, të cilët kanë shkëmbyer akuza, kundërakuza dhe ironi në disa postime radhazi.
Përplasja, e nisur pas komenteve të Buzhalës për situatën në Aeroportin e Vlorës, është kthyer në një debat që ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale.
Shkak fillestar u bë një koment i Buzhalës lidhur me çështjen e Aeroportit të Vlorës, i cili u pasua nga një seri reagimesh të ashpra nga të dy protagonistët, duke nxjerrë në pah akuza personale dhe thumbime publike.
Përplasja nisi me reagimin e Behgjet Pacollit, i cili akuzoi Buzhalën për shpifje, tendenciozitet dhe përpjekje të qëllimshme për t’i dëmtuar imazhin. Sipas Pacollit, gazetari po përpiqej të largonte vëmendjen nga çështja reale e Aeroportit të Vlorës, ndërsa pretendoi se sulmet ndaj tij lidhen me ndërprerjen e pagesave që, sipas tij, Buzhala kishte marrë për vite me radhë nga një ish-drejtor i kompanisë Mabetex Holding. Ai kujtoi gjithashtu se e kishte ndihmuar Buzhalën dhe familjen e tij në të kaluarën, duke paralajmëruar se do të publikojë edhe detaje të tjera për raportin mes tyre.
Berat Buzhala iu përgjigj me ironi, duke shmangur akuzat në thelb dhe duke e thumbuar Pacollin në rrjetet sociale. Ai i shkroi: "Prano moshën, mos përdor më filtra vajzash", ndërsa në një tjetër postim ironizoi raportet personale me biznesmenin, duke shkruar: "Kjo botë s’ishte e askujt. Sot ta jep një kafe, nesër si të mërzitet dhe ta përmend."
Debati mes tyre ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, pasi Pacolli dhe Buzhala njiheshin prej vitesh për raportet e afërta. Përplasja e fundit duket se ka nxjerrë në sipërfaqe mosmarrëveshje të vjetra, të cilat tashmë po zhvillohen publikisht përmes postimeve dhe kundërpërgjigjeve në Facebook.
Video-postimi i Berat Buzhalës që nxiti përplasjen
Sa ma shume rritej numri i protestueseve ne Tirane, aq me shume Behgjet Pacolli e shtonte dozen e sulmeve ndaj qeverise se Edi Rames. Dukej gati ti bashkohej Arlind Qorrit ne revolucion.

Postimi i parë – Reagimi i Behgjet Pacollit
Pas këtij postimi thumbues të Buzhalës, reagou Behgjet Pacolli, i cili iu drejtua publikisht gazetarit me një status të gjatë. Ai e akuzoi atë për shpifje, tendenciozitet dhe përpjekje për të dëmtuar figurën e tij, duke thënë se Buzhala po përpiqej ta largonte vëmendjen nga çështja e Aeroportit të Vlorës.
Pacolli shkroi se sulmet ndaj tij, sipas bindjes së tij, lidhen me faktin se Buzhalës i janë ndërprerë pagesat që, sipas tij, i kishte marrë për vite nga një ish-drejtues i Mabetex Holding. Ai kujtoi gjithashtu se e kishte ndihmuar gazetarin dhe nënën e tij për trajtim mjekësor në Zvicër, ndërsa paralajmëroi se do të publikonte edhe "anën tjetër të medaljes", duke përmendur vizita në Hygeia dhe udhëtime "përtej Atlantikut".

Postimi i dytë – Kundërpërgjigjja e Berat Buzhalës
Nuk kaloi shumë dhe Berat Buzhala reagoi me një postim të gjatë. Ai pranoi se Pacolli e kishte ndihmuar vite më parë, duke i siguruar transport me avion privat dhe trajtim për nënën e tij në Lugano, për çka tha se e kishte falënderuar publikisht edhe më herët.
Megjithatë, Buzhala hodhi poshtë pretendimet se kishte përfituar pagesa nga Mabetex dhe kujtoi se ndër vite e kishte mbrojtur Pacollin në shumë raste, kur ky i fundit ishte përballur me akuza publike, pa kërkuar asnjëherë shpërblim apo favor në këmbim.

Më pas, gazetari publikoi edhe një status të shkurtër që u bë viral, ku i drejtohej Pacollit me fjalët:
"Prano moshën. Mos përdor më filtra vajzash."
Postimi i katërt – Një tjetër thumbim nga Buzhala
Debati nuk u mbyll me kaq. Në një tjetër status, Buzhala shkroi:
"Kjo botë s'ishte e askujt. Sot ta jep një kafe, nesër si të mërzitet dhe ta përmend."

Mesazhi u pa si përgjigje direkte ndaj pretendimeve të Pacollit se e kishte ndihmuar vite më parë dhe se po ia rikujtonte publikisht këtë ndihmë.
Për momentin, debati mes dy ish-miqve të afërt mbetet i hapur. Deri tani nuk ka pasur ndonjë tërheqje nga qëndrimet e tyre, ndërsa postimet kanë vijuar të komentohen gjerësisht nga ndjekësit në Facebook.
© SYRI.net