SYRI TV/ GJKKO zhvillon gjyqin në themel për Ilir Metën

22:12, 09/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dy prova të reja, debate për hetimet dhe pretendime për shkelje kushtetuese. Kjo është ajo çfarë prodhoi seanca e radhës e gjyqit në themel ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili, pas përfundimit të seancës, deklaroi se provat e reja të zbardhura gjatë procesit gjyqësor implikojnë, sipas tij, kryeministrin Edi Rama dhe jo presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

U zhvillua në GJKKO seanca e radhës e gjyqit në themel për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, dhe persona të tjerë të marrë të pandehur. Meta dhe Kryemadhi ishin të pranishëm në seancë, ndërsa ish-presidenti i vendit u përfaqësua për herë të parë nga avokati Bujar Musta, pasi Kujtim Cakrani dha dorëheqjen pak ditë më parë.

Gjatë seancës, Meta ngriti shqetësimin se nuk i është vënë në dispozicion dosja hetimore në formë shkresore, ndërsa avokati i tij kërkoi që të mos merren si prova mesazhet me Kastriot Ismailajn, Elvis Mataj, Vjosa Ismailin dhe Dritan Priftin, pasi, sipas tij, nuk janë origjinale.

Pas seancës, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se prokurorët kanë bërë, sipas tij, shkelje kushtetuese gjatë hetimeve, ndërsa kanë dalë në dritë edhe dy prova të reja, të cilat implikojnë kryeministrin Edi Rama.

Seanca u zhvillua me debate gjatë paraqitjes së mbrojtjes së Monika Kryemadhit. Avokati i saj, Redi Llanaj, paraqiti në gjykatë kundërshtimet ndaj akuzave të ngritura nga SPAK, duke pretenduar se çështja nuk ka bazë penale dhe se hetimi është i motivuar politikisht.

Gjatë seancës, Llanaj deklaroi se edhe vetë SPAK ka pranuar se blerja e vilës nuk lidhet me korrupsionin. Ndërsa, gjatë dëshmisë së saj, Kryemadhi deklaroi se për çështjen e AKEP-it ka bashkëpunuar me Edi Ramën dhe Taulant Ballën, dhe jo me Ilir Metën.

“Bashkëpunimi me Ilir Metën nuk është provë shkresore. Bashkëpunimi im me Ilir Metën kanë qenë vetëm tre kalamajtë. Mesazhet me Edi Ramën kanë qenë bisedat për AKEP-in. Pse nuk i merr SPAK mesazhet ku Rama i kërkonte Kryemadhit mbarëvajtjen e marrëveshjeve për Lezhën, Hipotekën dhe Vlorën? Pse nuk ka marrë mesazhet e Taulant Ballës? Po mesazhin në adresë zyrtare me Engjëll Agaçin? Prandaj them se është një akuzë seksiste, që do të thotë se kam qenë e varur nga Ilir Meta. Jo, kam qenë e pavarur”, deklaroi Kryemadhi në gjykatë.

Seanca, e cila vijoi për disa orë, u shty, ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 29 korrik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco