'Na mblodhi kauza për Shqipërinë'/ Ruka: Diaspora shqiptare në Kanada nuk do të ndalet, protestojmë çdo fundjavë

09:37, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqiptarët në Kanada po organizojnë tubime paqësore në mbështetje të protestave qytetare që zhvillohen në Shqipëri. Në qytete si Toronto dhe Montreal, dhjetëra pjesëtarë të diasporës mblidhen çdo fundjavë për të shprehur solidaritetin e tyre me kauzat që lidhen me mbrojtjen e pasurive kombëtare, kundërshtimin e ligjit 21/2024 dhe zhvillimet në Zvërnec.

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, kryeredaktorja e “Albanian Montreal Press”, Blerina Ruka, tha se nisma nisi fillimisht në Toronto dhe më pas u përhap edhe në Montreal, ku komuniteti shqiptar organizon tubime të përjavshme pranë bustit të Nënë Terezës.

Sipas saj, protestat kanë bashkuar shqiptarë të të gjitha moshave dhe profileve, nga studentë e familje të reja deri te emigrantë me vite në Kanada, të cilët marrin pjesë vullnetarisht dhe me shpenzimet e tyre.

Ruka u shpreh se protesta fillimisht kishte në fokus mbrojtjen e natyrës dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve në Zvërnec, ndërsa më pas u zgjerua për të përfshirë edhe kundërshtimin ndaj ligjit 21/2024 dhe politikave të qeverisë shqiptare. Ajo theksoi se mesazhi i përbashkët i diasporës është: “Shqipëria jonë nuk mund të jetë në shitje.”

Ajo shtoi se komuniteti shqiptar në Montreal do të zhvillojë këtë fundjavë tubimin e gjashtë radhazi, ndërsa protestat organizohen me leje të autoriteteve lokale dhe kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave kanadeze.

Sipas Rukës, pjesëtarët e diasporës janë frymëzuar edhe nga protestat masive në Tiranë, të cilat ajo i cilësoi si tubime qytetare dhe paqësore që kanë bashkuar shqiptarët rreth një kauze të përbashkët, pavarësisht bindjeve politike. Ajo theksoi se për herë të parë diaspora po mobilizohet në këto përmasa jo për festa kombëtare, por për një çështje që, sipas saj, prek interesin e të gjithë shqiptarëve.

Ruka:

Sigurisht, lajmet e para për protestat e para që ishin paqësore, ishin nisur për shkak të disa politikave të brendshme që po ndodhin në Zvërnec... ngacmuan por edhe iniciuan takimet e para. Toronto sigurisht që ishte baza fillestare e iniciativave për protesta. Montreali nuk e la pas këtë energji. Edhe neve pretenduam t'i bashkoheshim që javën e parë dhe ashtu bëmë. Kuptohet që neve nuk kemi një përqendrim shumë të madh të shqiptarëve, por komuniteti pati një dëshirë për të dhënë gjithashtu fjalën e vet, për të qenë aty dhe për t'u mbledhur çdo javë.

Kuptohet që në Kanada, ose madje mbarë diasporë, rutina jonë është pak më ndryshe nga Shqipëria, ne mundemi të mblidhemi vetëm një herë në javë për shkak të distancave dhe punëve të përditshme. Por ama ka qenë me dëshirë edhe shumë entuziast takimi i fundjavës, kryesisht ka qenë e shtuna ose në sinkron me datat e Tiranës, me datat e mëdhaja të takimit të tubimeve të mëdha që kanë ndodhur në Tiranë, që edhe Montreali të bashkohej në distancë në të njëjtin orar.

Shqiptarët janë familje të vjetra në Montreal, ka familje të ardhura rishtazi, ka familje që ende nuk janë stabilizuar, familje që kërkojnë të integrohen, të njohin sigurisht edhe komunitetin në këto rrethana, të jenë aty edhe për Shqipërinë. Ideja për këtë situatë, për këtë kauzë që ka bërë bashkë shqiptarë pa asnjë lloj dallimi tjetër. Thjesht vijnë me shpenzimet e tyre, me dëshirën dhe me kohën që kanë pretenduar ta japin për këtë kauzë, ata kanë ardhur aty. Janë fëmijë, janë studentë të rinj, ka fëmijë, absolutisht ka fëmijë dhe ka disa familje të cilat e kanë respektuar çdo takim.

Montreali  këtë fundjavë do të numërojë takimin e gjashtë dhe ka njerëz që kanë ardhur e kanë respektuar çdo takim dhe unë u jam shumë mirënjohëse në fakt atyre, sepse sigurisht që ata kanë ardhur për çfarë na bashkon, për gjuhën, për kulturën dhe për Shqipërinë, që sigurisht mbetet një nga temat më delikate të diasporës. Ndoshta edhe pse ne jemi larg e ndjejmë delikatesën e kësaj çështjeje, por sigurisht kjo mori nota të ndryshme dhe neve donim, duhet ta thonim edhe ne...Në fillim sigurisht ishte, le të themi 'hands off', të hiqnin dorë nga prekja e natyrës.

Dhe sigurisht me zhvillimin e ngjarjeve u kanalizua ndryshe protesta dhe mbas kësaj u vendos që të bëhej një qëndrim i përbashkët, le të themi, edhe për politikat jo fort në dakordësi që ndjek politika apo edhe qeveria shqiptare. Sigurisht që kjo u përshkallëzua për ligjin 21/2024, i cili sot, të paktën mund të ketë dy javë që neve e kemi pjesë të pankartave tona, pjesë të gjithë mesazheve zanore që ne japim, por edhe shkëmbimeve me idetë që kemi edhe me protestat që mbahen në Tiranë, edhe kudo me diasporën tjetër që ne e elaborojmë. Kuptohet kemi një lloj dakordësie për të dalë në të njëjtën temë.

Këto ditë që kam ardhur po, e kam ndjekur nga afër.

E kisha me shumë qejf. Ajo që ne pamë në distancë, them të drejtën ditët e para që ishin masive, ishte shumë e prekshme. Ta shihje në distancë, e pabesueshme. Është përtej... kam përshtypjen ndodh për herë të parë në rrethana të tilla, në të tilla përmasa. Në një periudhë që është post-demokraci, ne jetojmë në një vend që sigurisht demokracia është e shenjtë dhe ne respektojmë këtë. Respektojmë edhe lirinë, edhe fjalën e lirë, por edhe demokracinë, por tubime të tilla paqësore, ku temat kryesore janë civile, qytetare dhe nuk janë politike, por që rrugës sigurisht çdo gjë merr, kanalizohet ndryshe. Ishte e pabesueshme që po ndodhte dhe neve kishim një emocion shumë të madh, mënyra se si ne takoheshim, shpërndanim idetë, mendimet, gati e pabesueshme që ajo po ndodhte dhe si do t'ia bëjmë që të ikim në Tiranë. Mirëpo ndodh që sigurisht vera ne na thërret të gjithëve për Shqipërinë. Ne vijmë përgjithësisht në verë. Kështu që në këtë rast donim patjetër ta shihnim dhe ta prekim nga afër çfarë ndodh vërtet në bulevardin përballë Kryeministrisë.E përbashkëta është që ne jemi të gjithë shqiptarët, të mbledhur për të njëjtën kauzë.

Dhe kjo na bën të njëjtë le të themi. Nuk ka rëndësi... kjo është një lloj çështje, vlera e së cilës nuk matet me sa njerëz ne mblidhemi. Ajo që ne duam të themi është që ne jemi aty për sa kohë është një kauzë e përbashkët, është një iniciativë e përbashkët, që sigurisht në tërësinë e saj, në të gjithë arsyen sepse jemi mbledhur aty... na bën si shqiptarë. Dhe nuk është më fare e ngjashme me festat e Nëntorit. Më në fund diaspora do të jetë në Shqipëri për një tjetër gjë që nuk e mbledh vetëm Nëntori. Duket ndonjëherë sikur Nëntori është postuar në këtë muaj vere. Shikoj shumë flamuj që shiten, shikoj një masivitet të folklorizmave që neve sigurisht jemi bërë të ndjeshëm ndaj tyre, por të paktën nuk është Nëntor dhe nuk na mbledhin festat. Na mbledh një kauzë që është shumë më e rëndësishme.

Shqipëria jonë nuk mund të jetë në shitje. Dhe kjo është pankarta e gjithë diasporës, me thënë të drejtën, dhe e Tiranës. Po, ka patur jehonë, ka patur jehonë edhe nga mediat lokale dhe publike sigurisht. Metropoli ku unë jetoj, Montreali, sigurisht i pranon multikulturalizmat. Çdo komunitet proteston nëse në kombin e tyre diçka ndodh. Palestina sot për sot atje kryeson çdo fundjavë, ata marrin një shesh që e boshatisin për interesin e tyre dhe sigurisht që mbajnë tubime paqësore. Të njëjtën gjë kemi bërë dhe ne. Për fat, në Montreal ka një bust të Nënë Terezës, komuniteti shqiptar ka investuar për atë bust dhe ky është pika e takimit të komunitetit tonë. Neve mblidhemi aty, pesë herë jemi mbledhur, pesë fundjava jemi mbledhur deri më tani. Dhe nesër, që është e shtunë, ata do të takohen atje në mungesën time këtë herë, për takimin e gjashtë. Kuptohet që toleranca është shumë e madhe, neve marrim një leje nga policia lokale për të ditur që nuk do të ketë degradime të takimit, do jetë paqësor, dhe ata bëjnë një kontroll rutinë të kësaj. Ama ka një protokoll që duhet ndjekur edhe atje, për lejen, për masivitetin, se sa njerëz pritet të jenë.

Gjithashtu dhe mediat lokale sigurisht kanë ngritur interes. Neve lobojmë nëpërmjet shoqatave ose organizmave të ndërmjetëm shqiptaro-kanadez, për të zgjeruar lajmin, për t'i dhënë zë edhe nëpër mediat e huaja dhe sigurisht që ata i kanë dhënë kohë, i kanë dhënë vëmendje. Ka qenë në një farë periudhe maratonë, unë gjithashtu punoj në një kompani kanadeze dhe ata e kanë marrë vesh për protestat në Shqipëri nëpërmjet mediave të tyre. Unë jam ndjerë e surprizuar që ata jo vetëm e njohin Shqipërinë, jo vetëm edhe protestën, po dinë edhe kauzën për çfarë jemi mbledhur ne.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco