Prestigjiozja amerikane The New York Times ka vënë në dukje kontradiktën mes qëndrimeve të deklaruara të Edi Ramës kundër antisemitizmit dhe vendimit të qeverisë shqiptare për të financuar me 4.5 milionë dollarë koncertin në Tiranë të reperit Ye, i njohur më parë si Kanye West.
Në një analizë të gazetares Ephrat Livni, kujtohet se Rama e ka cilësuar antisemitizmin si “një sulm ndaj vetë arkitekturës morale të njerëzimit”, por në mbrojtje të koncertit nuk përmendi asnjëherë deklaratat antisemite që kanë shoqëruar artistin dhe që kanë shkaktuar reagime të forta në mbarë botën.
Sipas artikullit, kjo krijon një kontrast të fortë mes retorikës publike të kryeministrit dhe veprimeve të tij konkrete. The New York Times thekson se për një lider që është shfaqur vazhdimisht si zë kundër antisemitizmit, heshtja ndaj deklaratave të Ye përbën një mospërputhje që ngre pikëpyetje mbi koherencën e këtij qëndrimi.
Kryeministri i Shqipërisë, i cili është përballur me protesta kundër planeve të zhvillimit të një resorti luksoz të lidhur me familjen Trump, këtë javë mbrojti një tjetër atraksion turistik të diskutueshëm, koncertin e ardhshëm të Ye, muzikantit të njohur më parë si Kanye West.
Edi Rama, kryeministri, tha në një postim në rrjetet sociale të mërkurën se Shqipëria ka akorduar rreth 4.5 milionë dollarë për eventin, i cili është planifikuar të mbahet të shtunën. Ai e quajti atë “një mundësi fantastike për të promovuar Shqipërinë si destinacion turistik” për adhuruesit e muzikës.
Postimi i Ramës nuk jepte detaje të mëtejshme se si do të shpenzoheshin 4.5 milionë dollarët. Por në maj, ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, tha se po ndërtohej një stadium i përkohshëm për eventin, me kapacitet për 60 mijë persona, sipas agjencisë shtetërore shqiptare të lajmeve.
Ye ka shkaktuar zemërim në mbarë botën me deklaratat e tij antisemite dhe shprehjet e admirimit për Adolf Hitlerin dhe nazistët, të cilat më pas i ka tërhequr, por edhe me veprime të tjera provokuese. Turneu i tij aktual ka nxitur debate, protesta dhe anulimin e disa datave në Evropë, megjithëse koncertet e tij kanë tërhequr gjithashtu turma të mëdha fansash.
Rama pret që koncerti në Shqipëri të gjenerojë të paktën 114 milionë dollarë dhe mbrojti shpenzimet e qeverisë si të domosdoshme “për të shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e afro 25 mijë vizitorëve nga 80 vende, të cilët i kishin blerë biletat shumë kohë më parë”. Ai tha se eventi do të nxisë konsumin dhe do të sjellë përfitime për “familjet, bizneset dhe arkën e bashkive dhe të shtetit”.
Polemikat rreth koncertit të Ye vijnë në një kohë kur Rama po përballet me pakënaqësitë për planet e zhvillimit të një resorti luksoz në bregdetin shqiptar të Adriatikut, të cilin Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Trump, po ndihmon ta financojë. Këto plane mund të prekin një habitat të ndjeshëm mjedisor për flamingot dhe shpendë të tjerë. Protestat e fundit në kryeqytetin, Tiranë, ku kanë marrë pjesë mijëra njerëz, janë quajtur “Revolucioni i Flamingove”.
Rama ka thënë se aktorë që veprojnë me qëllime të këqija në internet kanë përhapur dezinformim dhe kanë ekzagjeruar madhësinë dhe rëndësinë e këtyre protestave për interesat e tyre. Ai dha pretendime të ngjashme edhe në mbrojtje të koncertit të Ye këtë javë.
Duke lidhur të dyja polemikat, Rama tha se kritikët e koncertit të Ye ishin në fakt të njëjtat “sorra dhe korba” që “e kishin rrëmbyer me dinakëri protestën qytetare të flamingove”, me atë që ai e quajti një shqetësim të shtirur për interesin publik.
Deklarata e Ramës nuk trajtonte komentet denigruese ndaj hebrenjve që qëndrojnë si polemikë mbi turneun e Ye, përtej një përmendjeje të paqartë se disa njerëz kishin hequr dorë nga blerja e biletave për shkak të shqetësimeve se koncerti mund të anulohej.
Kjo, megjithatë ishte një harresë që binte në sy për një lider që njihet se është shprehur hapur për rreziqet e antisemitizmit, të cilin ai e ka quajtur “një sulm ndaj vetë arkitekturës morale të njerëzimit”.
Shqipëria ka një popullsi prej më pak se tre milionë banorësh dhe një komunitet hebre të vogël, por të hershëm, vetëm disa dhjetëra persona, sipas Kongresit Botëror Hebre. Megjithëse vendi ishte nën pushtimin e Fuqive të Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mbrojtën bashkëqytetarët e tyre hebrenj dhe madje strehuan hebrenj që arratiseshin nga vende të tjera evropiane.
Në debatet si për projektin e zhvillimit, ashtu edhe për koncertin e Ye, Rama i ka akuzuar kundërshtarët se po përpiqen të ndalin përparimin e vendit. Duke përsëritur qëndrimet që ka shprehur edhe për planet e resortit, ai tha në mbrojtje të koncertit të Ye: “Shqipëria nuk do të ndalet dhe nuk ka asnjë mundësi të kthehet pas.”
Shumë vende evropiane janë përballur me vështirësi në balancimin e nevojave dhe dëshirave të qytetarëve me ato të turistëve. Vitet e fundit, ky tension është bërë i dukshëm edhe në Shqipëri, e cila është rritur me ritme të shpejta si destinacion turistik, ndërsa numri i vizitorëve është rritur me më shumë se 80 për qind midis viteve 2019 dhe 2024.
Ky ritëm i rritjes ka ngritur shqetësime për mbizhvillimin e mundshëm dhe kritikët e kanë akuzuar Ramën se po vendos interesat e të huajve mbi ato të shqiptarëve. Ai e ka mbrojtur qasjen e tij, duke thënë se turizmi po nxit ekonominë dhe po mbush arkën e shtetit.
Megjithatë, debatet për koncertet e Ye nuk janë kufizuar vetëm në Shqipëri.
Qeveria britanike ia ndaloi Ye hyrjen në vend për të mbajtur koncerte në prill, ndërsa ai anuloi një koncert në Marsejë të Francës pas kundërshtimit nga Ministria e Brendshme franceze. Që atëherë janë anuluar koncerte në stadiume në Zvicër, Poloni dhe Itali, ndërsa në kontinente të ndryshme janë zhvilluar debate të ashpra nëse koncertet e tij duhet të mbahen.
Në San Antonio të Teksasit, disa zyrtarë vunë në pikëpyetje nëse Ye duhej të lejohej të performonte në një stadium në pronësi të qytetit. Megjithatë, koncerti u zhvillua më herët këtë muaj dhe mblodhi rreth 60 mijë spektatorë. Muzikanti ka mbushur gjithashtu arena në Turqi dhe Holandë dhe ka të planifikuara ndalesa të tjera në mbarë botën.
Ye ka deklaruar herë pas here se sëmundja mendore ka ndikuar në deklaratat e tij provokuese dhe ka kërkuar falje për to. Shumë fansa në koncertet e tij thonë se e ndajnë muzikën nga pikëpamjet që ai ka shprehur në periudha të ndryshme./ NYTimes/
© SYRI.net