Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar në Facebook letrën e dërguar nga Ilir Meta drejtuar avokatit Kujtim Cakrani.
Në dokument, Meta njofton vendimin për ndërprerjen e kontratës së përfaqësimit ligjor, duke argumentuar se çështja e tij kërkon angazhim të plotë dhe ekskluziv nga një avokat.
Kreu i PL falënderon Cakranin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe e njofton zyrtarisht për këtë ndryshim në mbrojtjen e tij ligjore.
Postimi i plotë:
Për arsye etike dhe integriteti, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, nuk ka dashur të bëjë publike një çështje që nuk është interes publik, siç është rasti i mbrojtjes së Zvërnecit apo zonave të tjera të mbrojtura, por që ka patur lidhje vetëm me marrëdhëniet e tij me ish-avokatin e tij, Z. Kujtim Cakrani.
Megjithatë, për t'i dhënë fund çdo spekulimi, jam i detyruar të bëj publik njoftimin që, me porosi të Z. Meta, i kam dërguar 24 orë para Av. Cakrani.
Çdo interpretim përtej përmbajtjes së këtij njoftimi është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga protestat, jo vetëm për mbrojtjen e Zvërnecit dhe zonave të tjera të mbrojtura, por edhe nga pesë kërkesat kryesore të protestuesve, që kanë rrethuar aktualisht Parlamentin.
Ndërkohë, prej dy muajsh, SPAK dhe GJKKO kanë përdorur çdo mjet procedurial në kundërshtim me ligjin, për të mos i vënë në dispozicion Z. Meta arkivin e domosdoshëm të çështjes, duke i vonuar qëllimisht nisjen e procedurave në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Patronazhist nuk lind, por patronazhist bëhesh dhe sot Edi Rama ka më shumë nevojë për ta.
Letra e plotë e dërguar nga Ilir Meta në drejtim të avokatit Kujtim Cakrani:
Dt. 29.6.2026
Njoftim
Drejtuar Avokatit z. Kujtim Cakrani,
Për dijeni z. Tedi Blushi, Partia e Lirisë.
I nderuar z. Avokat,
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes time jo vetëm në themel, por edhe për Gj.E.D.NJ. kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën.
Për punën që keni bërë deri tani kërkoj mirëkuptimin tuaj që t'ia dorëzoni z. Tedi Blushi.
Ndërsa motra ime është e autorizuar të diskutojë me ju për ekzekutimin e detyrimeve të mia financiare për mbrojtjen tuaj.
Për korrektesë dhe nisur nga urgjenca e marrjes së dokumentacionit procedural penal nga Gj.K.K.O., për efekt të ndjekjes së çështjes time në Gj.E.D.NJ., jam i detyruar t'ju njoftoj për këtë ndryshim të mbrojtjes time edhe Gj.K.K.O.
Me konsideratën time të veçantë,
Ilir Metaj

© SYRI.net