Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 15-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

'Duhet një shtet i ri '/ Protestuesi: Rama kontrollon drejtësinë, mediat dhe zgjedhjet

20:16, 14/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Po zhvillohet aktualisht në ditën e 15-të radhazi, protesta e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë mbledhur sërish në shesh për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestës, një prej pjesëmarrësve ka folur para turmës, duke ngritur shqetësime për “kapje të shtetit” dhe mungesën e funksionimit të pavarur të institucioneve.

Në deklaratën e tij, ai foli për nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë, ndryshimeve në sistemin elektoral, rritjes së transparencës në media dhe në prokurimet publike, si dhe vendosjes së mekanizmave më të fortë të kontrollit institucional dhe pjesëmarrjes qytetare.

Protestuesi:

Një përshëndetje të madhe vëllezër dhe motra. Pse erdhëm deri këtu, ku po kërkojmë një Shqipëri të re? Sepse Shqipëria vuan nga kapja e shtetit. Drejtësia, media, zgjedhjet dhe biznesi nuk funksionojnë sipas rregullave, por sipas interesave të atyre në pushtet. Si na kontrollojnë?

Drejtësia: SPAK funksionon në hetim, por parlamenti e bllokoi drejtësinë duke mbrojtur ballukun me 82 vota. Imuniteti parlamentar është bërë mburojë kriminale. Duhet hequr ose kufizuar rreptësisht për çështje korrupsioni, me konfiskim automatik të pasurive të pajustifikuara të politikanëve.

Sistemi elektoral: Ata na kontrollojnë me listat e mbyllura, që i japin liderit kontroll absolut mbi deputetët. Deputeti i bindet liderit dhe jo zgjedhësit, jo neve.

Duhen lista të hapura, lista qytetare, të pavarur nga politika, financim transparent i subjekteve politike. Media: Mediat kryesore financohen nga reklamat shtetërore dhe nga oligarkët të cilët janë ekonomikisht të varur nga qeveria. Duhet ndalim ligjor i reklamës shtetërore tek mediat private, dhe transparencë e plotë e pronësisë mediatike.

Kontratat publike: Tenderat janë kanali kryesor i transferimit të pasurisë publike tek oligarkia. Duhet e-prokurim transparent, ndalimi i kontratave me kompani offshore dhe auditimi i pavarur. Tani, ne nuk kemi ndarje pushtetesh dhe 'check and balances'.

Kryeministri, një njeri, kontrollon gjithçka: qeveri, parlament, gjyqësor, president, media. Tani, as ne si popull me referendume, asnjë institucion nuk ka asnjë lloj mekanizmi ta ndalojë, nëse kryeministri, ta zëmë se çmendet. Duhen referendume për tokën dhe burimet natyrore, iniciativa ligjore qytetare dhe kufizim mandatesh.

Prandaj themi se duhet një shtet i ri, në shërbim të qytetarëve, jo arrogant ndaj qytetarëve të vet. Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco