Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 15-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Zyrtarët e PS-së në Pukë dhe Shkodër distancohen nga Rama, i bashkohen protestës qytetare

Zyrtarët e PS-së në Pukë dhe Shkodër distancohen nga Rama, i bashkohen protestës qytetare

20:08, 14/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në kulmin e protestave masive qytetare që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një tjetër goditje politike duket se vjen nga vetë radhët e Partisë Socialiste. Ndërsa mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, zëra të njohur socialistë po distancohen gjithnjë e më shumë nga drejtimi aktual i partisë.

I bujshëm është largimi i deputetes së Shkodrës, Mariana Koçeku, e cila ka njoftuar publikisht se do të vazhdojë mandatin e saj si deputete e pavarur. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku deklaroi se vlerat dhe bindjet që e kanë shoqëruar që nga koha e protestës studentore nuk përputhen më me kursin politik të Partisë Socialiste.

Por Koçeku nuk është e vetmja figurë që po largohet nga linja e Ramës.

Paulin Luli, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Shkodër në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe ish-drejtor i Rezervave të Shtetit, është rreshtuar hapur në krah të protestuesve. Në deklaratat e tij publike ai ka dënuar korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe atë që e konsideron deformim të vullnetit qytetar, duke theksuar se asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë mbi padrejtësinë.

Në të njëjtën linjë është shfaqur edhe Dritan Asani, kandidat për kryetar dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste në Bashkinë Pukë, i cili ka mbështetur publikisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe ka kërkuar që qeveria të dëgjojë shqetësimet e tyre në vend që t’i shpërfillë.

Kritikat ndaj Edi Ramës nuk kufizohen më vetëm te opozita apo protestuesit në Tiranë, por po artikulohen edhe nga figura që kanë qenë pjesë e familjes politike socialiste. Më herët, qëndrime kritike kanë mbajtur edhe emra të njohur si Ditmir Bushati dhe Arta Dade, duke sinjalizuar pakënaqësi të vazhdueshme brenda së majtës.

Ndërsa protestat vazhdojnë dhe pakënaqësia qytetare rritet, zhvillimet e fundit duken si shenja të një izolimi politik në rritje të Edi Ramës, i cili po përballet tashmë edhe me por edhe me kritika e largime nga njerëz që deri dje ishin pjesë e strukturave dhe kandidaturave të Partisë Socialiste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco