Berisha: Qëndrojmë për respektin e plotë të së drejtës së qytetarëve. Në qeverisjen tonë nuk ka pasur asnjë shembje gardhi

Berisha: Qëndrojmë për respektin e plotë të së drejtës së qytetarëve. Në qeverisjen tonë nuk ka pasur asnjë shembje gardhi

13:30, 13/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i PD-së Sali Berisha u ndal te çështja e pronave në Rrjoll, duke theksuar se opozita qëndron në mënyrë të palëkundur për respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për pronën private.

Ai deklaroi se në periudhën e qeverisjes së tij nuk ka pasur raste të shembjes së gardheve apo vendosjes së telave me gjemba, ndërsa shtoi se çdo konflikt pronësor duhet të trajtohet me dëmshpërblim sipas vlerës së tregut.

Berisha e cilësoi situatën aktuale si pasojë të vendimeve të gabuara të qeverisë, duke theksuar se institucionet nuk duhet të miratojnë leje zhvillimi apo ndërtimi në zona ku ekzistojnë konflikte pronësore të pazgjidhura.

Shyqyri Myrtollari: Doktor përshëndetje. Banorët e Rrjollit vazhdojnë betejën e tyre për mbrojtjen e pronave dhe sot mediat raportojnë se ata kanë hedhur poshtë edhe gardhet rrethuese të vendosura në zonë. Duket se frika është vrarë tashmë dhe qytetarët po zgjedhin rezistencën e hapur për të mbrojtur atë që e konsiderojnë pronën e tyre të trashëguar brez pas brezi. Protestat në Rrjoll kanë hyrë në një fazë të re, me banorët që deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Si e komentoni këtë kauzë dhe a mendoni se çështja e Rrjollit është kthyer tashmë në një simbol të betejës së shqiptarëve për mbrojtjen e pronës private përballë asaj që protestuesit e konsiderojnë si padrejtësi dhe grabitje me ndihmën e shtetit?

Sali Berisha:

Së pari ne qëndrojmë për respektimin e plotë të së drejtës së qytetarëve shqiptarë për pronën kudo që janë. Kjo është, ky është qëndrimi ynë i palëkundur. 
Së dyti, gjatë periudhës tonë në pushtet, ju nuk keni parë kurrë as të shemben gardhe, as të vendosen tela me gjemba. 
Pse? Sepse ne kemi patur një ligj. Dhe ky ligj detyronte qeverinë, pasi ajo firmoste leje zhvillimi apo leje ndërtimi e të tjerë me radhë për kompanitë, detyronte qeverinë që çdo kërkese të drejtë për pronën t'i përgjigjej me vlerën e tregut. 

Ndaj dhe në 8 vite, ka patur vetëm një protestë disa ditësh të banorëve tek shkolla Teknologjike kur po ndërtonim Unazën e Tiranës dhe absolutisht pasi u studiua kërkesa e tyre, atyre iu dha menjëherë të drejtë, iu garantua shpërblimi me vlerën e tregut dhe nuk ka ndodh ndonjë protestë tjetër, ndonëse ka patur shpronësime për ndërtime publike të padiskutueshme që ka patur, nuk them se s'ka patur se rruga kalonte aty ku kishte dhe pronë private dhe pronë publike.
Kështu që, është për mua, është qeveria që ndez të gjithë sherrin. Qeveria nuk mund të japë, nuk mundet të japë leje zhvillimi apo leje ndërtimi aty ku ekziston konflikti për pronën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco