Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar ashpër raportin për administratën publike të vitit 2025 gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, duke e cilësuar atë si një dokument që nuk pasqyron realitetin e vendit.
Në fjalën e tij, Blushi u shpreh se mjafton të lexohet faqja e parë e raportit për të kuptuar se ai paraqet një panoramë krejtësisht të shkëputur nga gjendja reale. Ai e krahasoi situatën me përrallën e njohur të Andersenit “Mbreti Lakuriq”, duke theksuar se raporti përpiqet të paraqesë një realitet që sipas tij nuk ekziston.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore të protestave të qytetarëve është dështimi i administratës publike, e cila, siç tha ai, gjatë viteve të fundit është shndërruar nga një administratë publike në një administratë të kontrolluar politikisht.
Blushi ngriti shqetësimin për fenomenin e patronazhimit, duke theksuar se ai është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare, përfshirë raportin e IBAR-it dhe raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Ai argumentoi se shkrirja e partisë me shtetin dhe përdorimi i administratës për interesa politike janë ndër arsyet kryesore të pakënaqësisë qytetare.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë propozoi që mbledhja e Komisionit të Ligjeve të zhvillohej në shesh, përballë qytetarëve, në mënyrë që sipas tij të dëgjohej drejtpërdrejt vlerësimi i shqiptarëve për administratën publike.
Ai kritikoi faktin që raporti nuk trajton çështjen e patronazhimit, ndërsa theksoi se ky fenomen është denoncuar si nga raporti i IBAR-it, ashtu edhe nga raportet e OSBE-ODIHR-it dhe nga vetë qytetarët.
Blushi i bëri thirrje qeverisë që të përballet me realitetin dhe me pakënaqësinë e qytetarëve, duke shtuar se protestat tregojnë qartë se administrata publike nuk funksionon sipas standardeve që përshkruhen në raport.
Blushi:
Është për të ardhur keq kur sheh një raport të tillë në Komisionin e Ligjeve.
Një raport, i cili mjafton të lexosh faqen e parë për të kuptuar ose për tu kthyer kohë pas.
Një raport, I cili më kujton atë përrallën e Andersenit “Mbreti Lakuriq”, për vet faktin se nuk është vetëm mbreti që është lakuriq, por sepse të gjithë servilët pranë tij mundohen që ti tregojnë një situatë e cila nuk ekziston.
Në rast se do të kishim një Administratë kaq perfekte, kaq profesionale, kaq efikase, pyetja e vetme që kam për ju zonja minister është, përse sheshi është mbushur plot?
Dhe kjo është një pyetje në fakt, të cilës duhet ti kishte dhënë përgjigje ky raport.
Sepse një nga arsyet pse mijëra qytetarë protestojnë sot vetëm pak metra larg nga kjo zyrë, është pikërisht dështimi total i një Administrate që në fakt duhet të ishte publike, por që në këto vite është shndëruar në një Administratë thjesht dhe vetëm private.
Në një Administratë të mbushur me patronazhistë, duhet të jetë guxim i madh, përtej respektit që unë kam për shumë punonjës të ndershëm të administratës, por është fakt që patronazhimi tanimë është pjesë edhe e vetë alarmit të dhënë nga Bashkimi Europian.
Ke raportin e IBAR-it, keni dhe raportet e OSBE-së për zgjedhjet, ke faktin që partia është shkrirë njësh me shtetin dhe fakti që sot shqiptarët po mbushin jo vetëm bulevardin kryesor të Tiranës, por të gjitha sheshet e Shqipërisë dhe jo vetëm, tregon që ju keni dështuar.
Si mund të pranosh të diskutosh një raport që flet për nje konsultim public, kur konsultimin publik e keni në boulevard.
Sepse ata njerëz që po dalin aty janë të pakënaqur, kanë revolt, kanë urrejtje për mënyrën se si ju e keni shkatërruar, ju si maxhorancë, e keni shkatërruar administratën publike.
“Poshtë patronazhistët” është thirrja kryesore e protestës, përtej largimit të domosdoshëm të Edi Ramës.
Tani ju në raport shkruani që konsultimi publik është një nga elementët thelbësorë të përmirësimit apo të efikasitetit të Administratës Publike.
Më fal po, jetoni në Tiranë?
Sepse në rast se do të jetoni në Tiranë ka të paktën 10 ditë që Shqipëria po zien, për cfarë suksese do të flasim tani?
Shqiptarët janë në shesh, a mund ta leme këtë mbledhje Komisioni në orën 6, e zhvillojmë mbledhjen e Komisionit te bulevardi para Kryeministrisë dhe të na thonë shqiptarët, kjo administrate publike është kaq efikase, kaq profesionale sa thotë ky raport?
E shtyjmë mbledhjen në orën 6, dalim të gjithë aty në shësh dhe japim llogari para shqiptarëve.
Hajdeni dhe ju zonja Ministre, ftojeni dhe Kryeministrin, ulemi aty në shesh edhe diskutojmë raportin për administratën publike të vitit 2025 dhe ti dëgjoni shqiptarët cfarë mendojnë për këtë administratë.
Cdo diskutim tjetër është i pavlerë.
Dhe ky raport për mua, sigurisht është një raport i pavlerë, për vet faktin që nuk ka matës më të mirë se sa shqiptarët që po e shprehin revoltën dhe zemëratën e tyre me shumë të drejtë, cdo ditë.
Revoltë e cila do të përshkallëzohet për sa kohë ju nuk keni reflektim, përkundrazi vijoni flisni për suksese imagjinare që thjesht me kujtojnë përrallën e famshme të
Andersenit që të gjithë e mbajnë mend.
Ndaj do ju sygjeroj që të paktën mos e keni këtë rol, sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Sigurisht që ju nuk jeni në krye të qeverisë, port ë paktën duhet të keni guximin për tu përballur me një realitet i cili është krejt ndryshe nga këto raporte.
Pa harruar raportin e IBAR, por raporti më I mirë dhe qëndrimi më i mirë është cdo ditë, prej 10 ditësh tanimë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në të gjitha rrugët e Tiranës.
Një raport që nuk flet një fjalë për patronazhimin, a mund të diskutohet ky raport?
Kur patronazhimin ta denoncon dhe raporti IBAR dhe kërkon marrjen e masave.
Ta denoncon raporti i OSBE-ODIHR-it, ta denoncojnë shqiptarët, ju thoni konsultim publik, është i shkëlqyer, është themelor në hartimin e këtij procesi.
Të paktën mos na fyeni inteligjencën me të tilla raporte, ju besojini se deri sa e keni shkruar, keni vënë dhe firmën, sigurisht që e besoni, por unë po përpiqem t’ju kujtoj që nuk është ky realiteti.
Kolegët e mi përmendën Suedinë, por nuk ndodh në Suedi që të përgatitet një raport që nuk ka asnjë lidhje me faktet dhe fakt ti ked he punonjës të administratës në shësh, kanë dalë, është thyer frika.
Do të thotë që janë të zhgënjyer prej jush, nuk ka administratë publike ZNJ. Ministre, se të kishte administratë publike nuk do protestonin njerëzit.
Ata nuk po protestojnë se këtu gjithcka po ecën vaj, protestojnë se këtu ka marrë fund gjithcka.
Ndaj dëgjoni sovranin.
Unë ju ftoj të shtyjmë mbledhjen, të dalim në shesh dhe ta zhvillojmë mbledhjen e Komisionit atje, uroj të vijë dhe Kryeministri ta mbrojë këtë raport dhe të na dëgjojnë shqiptarët. Nuk ka konsultim publik më transparent se sa kaq.
© SYRI.net