Njerëzit në rrugë deri në mesnatë, Abilekaj: Revoltë ndaj një qeverie që shpërndan frikë e kontrollon gjithçka

15:32, 10/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një fenomen i ri po ndodh në rrugët e Tiranës, ku qytetarët po refuzojnë të kthehen në banesat e tyre pas tubimeve, duke zgjedhur të qëndrojnë në sheshe deri në orët e vona të mesnatës.

Në përgjigje të kësaj revolte masive, kreu i qeverisë ka zgjedhur një strategji që synon zhvendosjen e vëmendjes, duke përdorur koreografi dhe poza të çuditshme që ironizojnë qytetarët e mbledhur. Kjo sjellje ka ngjallur reagime të forta, ku figura të ndryshme publike e kanë cilësuar kryeministrin më shumë si një "pacient" sesa si një lider që përballet me krizën. Sipas analistit Enton Abilekaj që ishte i ftuar në një intervistë me Edvin Parrucën në edicionin e mesditës në Syri tv, qëllimi i këtyre performancave duket të jetë shpërqendrimi i opinionit publik nga thelbi i problemit.

Ndërkohë që qeveria propagandon mbjelljen e disa pemëve si një heroizëm të madh, realiteti flet për miliona metra katrorë beton që kanë pushtuar jo vetëm kryeqytetin, por tashmë po shtrihen me agresivitet edhe në bregdet përmes lagjeve luksoze. Pakënaqësia e akumuluar nga këto politika është pikërisht "karburanti" që mban gjallë këtë protestë, e cila në thelb është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj vetë modelit të instaluar të qeverisjes.

Edvin Parruca: Do flasim për protestën dhe për shumë pyetje në fakt që bëhen për këtë protestë, që janë bërë që nga fillimi, që vijojnë të bëhen akoma, si nisi, si do përfundojë... çfarë po bën kryeministri. Ndërkohë, unë do ta nis me një pyetje tjetër: Pse është kaq qejf i madh të jesh në atë protestë? Se kjo është ajo që thonë të gjithë, që jemi aty dhe është një qejf shumë i madh. Pse vjen kjo?

Enton Abilekaj: Është e çuditshme në fakt, sesi njerëzit shkojnë në protestë dhe nuk largohen. Protestat lajmërohen në orën 6, mendojmë që do jemi të lodhur deri në orën 9 apo 10, dhe shohim që deri në 11 apo deri në mesnatë protesta vazhdon. Kështu që, kjo tregon që ndoshta njerëzit kanë gjetur njëri-tjetrin, një grup njerëzish kanë gjetur njëri-tjetrin. Ata që kishin humbur në një shtet, në një shoqëri e cila dominohet nga frika, nga mpirja, nga një grup i vogël njerëzish që qeverisin gjithçka, që kontrollojnë gjithçka dhe që kishin shpërndarë vetëm frikën dhe dëshirën për largim, tani po e shohin që e kanë në një komunitet. Kanë menduar të gjithë njësoj, që ngjajnë shumë në të gjitha gjërat dhe që mund ta ndryshojnë vendin bashkë. Kështu që ky komuniteti i ri që ka krijuar protesta është komunitet shumë interesant. Besoj që modeli është trendi, ajo është arsyeja pse u bë protesta dhe trendi, dhe besoj që kjo është arsyeja që njerëzit rrinë kaq shumë aty dhe rrinë me njëri-tjetrin, dhe pa u njohur me njëri-tjetrin duket sikur janë miq.

Edvin Parruca: E vërtetë. Nga ana tjetër kemi parë kryeministrin Rama, i cili ka ndërtuar atë strategjinë e vet tani se si po i përgjigjet kësaj proteste. Kjo është nga ato herë që të kujton pak raste kur ai është gjendur përpara një kundërshtimi të tillë masiv dhe të papritur, siç ka qenë rasti i armëve kimike dikur, pastaj ka qenë ai i studentëve kur Rama u bë i famshëm me ato memet që i postonte dhe vetë pastaj "kur do flasim, kur do flasim". Tani ka vendosur t'i talli protestuesit duke marrë dhe vetë poza nga më të çuditshmet që po shqetësojnë ndoshta dhe mbështetësit në partinë e tij. Po gjithsesi, kjo është ajo që ka ndërtuar ai. Ai është njeri që i njeh deri diku këto mënyrat se si duhet të sillet, ose i mendon të paktën. Si e shikon ti këtë? Si taktikë, pastaj dhe çfarë rezultati ka, është tjetër gjë.

Enton Abilekaj: Sot një mjek ironizoi një nga këto shfaqjet e Ramës, duke i quajtur imituese, këto koreografitë banale që bën ai, pasi ju përgjigja me tha se  ky nuk është lideri ynë, por ky është pacienti im. Kështu që kjo tregon shumë. Kjo tregon që Edi Rama mund të bëjë gjithçka për të tërhequr vëmendjen, për t'i marrë vëmendjen protestës, dhe që njerëzit ta shohin performancën e tij, të merren me këto gjërat që bën ai atje, dhe të harrojnë që kemi të bëjmë me një kryeministër 61 vjeçar, i cili ka 13 vjet që qeveris vendin të paktën, dhe e ka bërë vendin aq të pashpresë sa njerëzit nuk shkojnë dot në shtëpi, sot rrinë në rrugë derisa ta heqin. Këtë protestë nuk e ka organizuar asnjë tjetër përveç Edi Ramës. Qeverisja e tij e ka bërë gati këtë revoltë. Jo vetëm me sjelljen ndaj mjedisit, të cilën ai e përmend sikur nuk besoj se qytetarët ndiejnë ndonjë heroizëm shumë të madh të Partisë Socialiste që ka mbjellë ca pemë nëpër rrugë, ndërkohë që po ai, bashkë me Partinë Socialiste, kanë mbjellë lagje betoni.

Mijëra metra kub beton, miliona metra katrorë beton, i kanë mbjellë ata, po nuk i përmend këto sot. Dhe pasi e betonizoi Tiranën dhe e bëri të pajetueshme, pasi e pa që ndërtimi në Tiranë po bie, kaloi tani në bregdet për ta betonizuar dhe bregdetin. Kemi lagjet luksoze. Tani janë vendosur në bregdet dhe duan të marrin tani dhe ato pak pika që kanë mbetur. Përveç kësaj, dua të them që i gjithë ky betonizim nuk ka sjellë zhvillim. Ky ka sjellë vetëm pasurimin e një dore të vogël njerëzish rreth Ramës dhe miqve të tij, të cilët e kanë polarizuar shoqërinë. Nuk ka sjellë asnjë kontribut që i takon, që këto para të jenë për të mirën e përgjithshme. Dhe pikërisht për këtë arsye njerëzit janë në atë revoltë. Sepse njerëzit e shikojnë që çdo mal betoni që mbillet aty dhe që mundohet të fshihet me një pemë të vogël nga Edi Rama, në fakt nuk shkon në të mirën publike, nuk shkon në xhepin e tyre.

Përkundrazi, ua vështirëson jetën. Ndërkohë që malet e betonit rriten, çmimi i banesave rritet, nuk ulet. Qiratë e banesave rriten, nuk ulen. Përfituesit janë njerëz të tjerë që nuk kanë lidhje fare me ata që janë atje në protestë dhe që tani njohin njëri-tjetrin dhe duan të rrinë me njëri-tjetrin. Përfituesit janë njerëz që vijnë nga bota e nëndheshme, vijnë nga jashtë, nuk kanë asnjë lidhje me shoqërinë shqiptare. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që është Edi Rama, ai që e ka provokuar këtë protestë. Qeverisja e tij e ka prodhuar këtë pakënaqësi, këtë revoltë e cila sot nuk lodhet së shpalosuri nëpër rrugët e Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco