Qeveria vijon të alokojë miliona euro për ujësjellësin e investitorëve strategjikë në zonën bregdetare të qytetit jugor, të cilësuar si klientë të kryeministrit Edi Rama. Edhe pse janë paguar 20 milion euro për të furnizuar me ujë investitorët strategjikë në Dhërmi e Drimadhes, qeveria thotë se është i pamjaftueshme dhe për këtë arsye, Bashkia e Vlorës, ka planifikuar një projekt të ri, i cili pritet të kushtojnë disa miliona euro të tjera nga buxheti i Shtetit. Ndërkohë që qeveria tregohet shumë bujare me investitorët strategjikë, banorët e disa lagjeve të Vlorës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, duke u detyruar ta blejnë atë, ndërsa shteti tregohet indiferent ndaj kësaj problematike.
Syri TV
Qeveria thotë se shpenzimi prej 20 milionë eurosh për të furnizuar me ujë investitorët strategjikë në Dhërmi e Drimadhë është i pamjaftueshëm. Për këtë arsye, Bashkia e Vlorës, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, ka planifikuar një projekt të ri, i cili pritet të kushtojë disa miliona euro të tjera nga buxheti i shtetit.
Pak ditë më parë, administrata lokale ka shpallur procedurën “Studim-Projektim furnizim me ujë i zonave bregdetare, Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi Faza IV”, me fond limit rreth 220 mijë euro. Pas projektimit, pritet t’i hapet rruga investimit.
Për momentin, tenderi për studimin është anuluar, për shkak se nuk ka pasur oferta të pranueshme. Megjithatë, Bashkia e Vlorës pritet ta rishpallë sërish, në funksion të përmirësimit të kushteve për investitorët strategjikë.
Prej vitit 2023, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka zhvilluar tre procedura për furnizimin me ujë. Në fazën e parë u shpenzuan 7.5 milionë euro, në të dytën 3.5 milionë euro dhe në të tretën rreth 8 milionë euro.
Megjithatë, sipas autoriteteve qeveritare, këto shpenzime rezultojnë të pamjaftueshme.
Në dokumentet e tenderit thuhet se “zona objekt projektimi është pjesë e zonave të shpallura për investime strategjike”. Sipas autoritetit kontraktor, “burimet ekzistuese të furnizimit paraqesin kapacitete të kufizuara dhe nevojat për ujë gjatë sezonit turistik vlerësohen dukshëm më të larta”.
Në verën e vitit 2024, ish-zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se zona do të ketë shumë shpejt furnizim me ujë 24 orë. Por ky premtim mbeti thjesht në letër.
Balluku, me shumë mundësi, mund ta ketë ndjerë edhe personalisht mungesën e ujit, pasi Prokuroria e Posaçme dyshon se ajo ka pasur një vilë të fshehur në një nga investimet strategjike në zonën e Gjilekës, në Dhërmi.
Dy vjet pas premtimit të Ballukut, zona e investimeve strategjike jo vetëm që nuk ka ujë 24 orë, por është në vështirësi të mëdha dhe planifikohet shpenzimi i miliona eurove të tjera nga Buxheti i Shtetit tashmë.
© SYRI.net