Për diplomatin Agim Nesho, retorika e ashpër e kryeministrit Edi Rama dhe përplasjet e fundit me gazetarë të huaj, janë një shenjë e qartë e humbjes së qetësisë nga ana e kreut të qeverisë.
I ftuar në ‘Task Force’ në Syri Tv, Nesho vëren se praktikat e blerjes së influencës, të denoncuara më parë në skandale si rasti "McGonigal", po vazhdojnë të aplikohen për të dobësuar opozitën dhe për të manipuluar realitetin politik të vendit.
Përpjekjet e qeverisë për të mbuluar raportet negative nga organizatat ndërkombëtare, si ai i "Freedom House" që e cilësoi Shqipërinë si një demokraci hibride, sipas Neshos, realizohen shpesh përmes artikujve të sponsorizuar në media të njohura.
Kjo skemë mbështetet në rrjete të fuqishme lobimi dhe fondacione të huaja që sponsorizojnë fushata të posaçme.
Sipas diplomatit, kryeministri i fton hapur mediat ndërkombëtare për të negociuar, duke u ofruar atyre financime nën maskën e eventeve turistike në këmbim të heshtjes ose promovimit pozitiv.
Është një fenomen që tregon që kryeministri shqiptar nuk është më i qetë. Ka ikur nga mendja, siç thonë rrjetet sociale. Dihet që ka një shqetësim të madh, aq më tepër në shtypin botëror ku ai gjithmonë ka qenë prezent. Dua të bëj një parantezë këtu, që ai është njeriu që tregoi veprimin e tij ndaj agjentëve ose individëve të ndryshëm ose institucioneve se si blihet një influencë. Çështja McGonigal. Kërkonte që të godiste në mënyrë indirekte opozitën shqiptare duke krijuar një diçka false nga persona amerikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E njëjta gjë po veprohet deri tani. Ky ka qenë njeri i privilegjuar, ky ka goditur me shtypin ndërkombëtar opozitën shqiptare.
Çdo gjë që ka ndodhur këtu, gjithmonë ka gjetur një burim që t'i kundërpërgjigjet. Për shembull, u fol nga Freedom House që Shqipëria është një demokraci hibride, ka rënë poshtë, menjëherë doli që Intelligence Economist me shkrime të sponsorizuara, dha një përgjigje që ky ishte nga vendet që ishte një demokraci liberale dhe po shkonte sipër. Domethënë, gjithmonë ashtu siç e thatë edhe ju, shtypin kryesor ndërkombëtar, edhe nëpërmjet Sorosit që ka shumë organe të tjera të cilat i sponsorizon, si Politico-n në Bruksel, Mother Jones, me qindra organe të tjera të cilat politikat liberale në Amerikë i sponsorizojnë. Prandaj, ky ishte njeriu që i drejtonte deri tani.
Ka dy gjëra: dëshpërimin e thellë, dhe e dyta, i kthehet pazarit të parë. Na duket pak çudi, po ai u kërkon medieve: "Hajdeni, negocioni me mua. Unë jam njeriu që mund t'ju mbaj juve edhe me punë." Çfarë nënkupton puna? T'ju jap domethënë, sponsorizoj evente për turizmin dhe shkëlqimin e Shqipërisë, për të fituar këto mediat tuaja. Sigurisht, ka edhe tentime në këto raste. Atë di ky njeri dhe kjo është mënyra. Dhe pse e them këtë? Për arsye se gjatë zgjedhjeve, ku ai kishte një projekt për të vjedhur popullin shqiptar, siç u provua edhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilët në gjuhë diplomatike e thanë hapur që këto zgjedhje janë brenda një manipulimi të pabarabartë, të shfrytëzimit të partisë shtet, të detyrimit të administratës publike, e kështu me radhë.
Pra, gjithë platforma e tij mediatike për të kontrolluar shtypin botëror ishte: "Mos u merrni me Shqipërinë, jo flisni mirë, mos u merrni me Shqipërinë". Dhe e njëjta gjë, ky presion që u bëhet direkt, është një idiotësi tepër e madhe. Unë dua të them vetëm një fakt, që pata biseda me shumë shokë të mi, personalitete e të tjera në Uashington, dhe dua të them që të gjithë ishin skandalizuar nga toni që guxonte kryeministri shqiptar t'i drejtohej gazetares së CNN-it. Sa një personalitet i lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishte definuar: "Është i frikshëm".
Domethënë, nuk mund ta konceptonin se si mund të vejë një autokrat i tillë, i cili blen influencë, i cili blen dhe kontrollon mediat, dhe që kërkon që në një farë mënyre t'i japi mesazhin që, "Shiko, unë jam këtu, hajdeni negociojmë dhe ne do të gjejmë zgjidhje". Kjo është e gjithë fabula. Deri tani në mediat ndërkombëtare është projektuar që Rama përfaqëson Shqipërinë. I kemi dëgjuar të gjitha deklaratat e tij që thoshte "Si guxon opozita të prishi imazhin", se gjithmonë e paralelizoi veten e tij sikur ishte përfaqësues i Shqipërisë. Ku ka arritur media ndërkombëtare dhe media kryesore? I quajnë që është në tentativa për të krijuar ishullin e Epstein-it. Një çështje delikate që ka kompromentuar sot gjithë dhe ka bërë pis skenën politike botërore. Ky është i aftë t'i bëjë të gjitha këto me klientelizmin, me blerjen e influencës.
© SYRI.net