Lajmi i fundit

LIVE/ Dita 9 e protestave në Shqipëri, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Ina Zhupa: Moli i improvizuar në Ksamil, i rrezikshëm e jashtë çdo standardi. Bashkia Sarandë lë pa punë 200 familje

Ina Zhupa: Moli i improvizuar në Ksamil, i rrezikshëm e jashtë çdo standardi. Bashkia Sarandë lë pa punë 200 familje

17:31, 08/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetarja e Komisionit të Turizmit dhe deputete e Sarandës, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj situatës së operatorëve të turizmit detar në Ksamil, duke denoncuar mungesën e një zgjidhjeje nga Bashkia për mbi 200 familje që sigurojnë të ardhurat nga ky aktivitet. 

Zhupa e cilësoi të papranueshme gjendjen e molit të vendosur për operimin e mjeteve lundruese, duke e përshkruar atë si të papërfunduar, të pasigurt dhe jashtë çdo standardi. Sipas saj, kjo situatë jo vetëm që rrezikon vendet e punës të operatorëve turistikë, por dëmton edhe imazhin e Ksamilit përballë turistëve vendas dhe të huaj. 

Deputetja i bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar një zgjidhje dinjitoze që u mundëson operatorëve të punojnë normalisht dhe siguron standarde e siguri për vizitorët.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Ende pa zgjidhje operatorët e turizmit detar në Ksamil! Protesta e tretë që kërkojnë të punojnë me siguri dhe dinjitet.

Bashkia duket se po tallet me mbi 200 familje që sigurojnë jetesën nga ky aktivitet, duke i lënë pa mundësinë për të punuar në kulmin e sezonit turistik dhe pa krijuar kushtet minimale për ushtrimin e aktivitetit të tyre.

Siç shihet qartë, zgjidhja e dhënë ështe nje turp. Moli ku supozohet të operojnë është jashtë çdo standardi: i papërfunduar, i rrezikshëm dhe jo funksional. Kjo zgjidhje e improvizuar nuk zgjidh problemin, por përkundrazi dëmton edhe imazhin e qytetit përballë turistëve vendas dhe të huaj. Është e papranueshme që turistët të detyrohen të hipin e të zbresin nga një lartësi prej disa metrash, në një zonë me tela, gurë dhe pa asnjë masë sigurie, duke krijuar një pamje katastrofike për një destinacion që pretendon të ofrojë turizëm cilësor.

Siç thotë populli, “ujku mjegull do”. Në kulmin e protestave dhe shqetësimeve të qytetarëve, Bashkia duket se ka zgjedhur të heshtë dhe të mos u përgjigjet operatorëve e familjeve që presin një zgjidhje, me logjikën se “nuk e ka mendjen njeri”.

I bëj thirrje Bashkisë Sarandë dhe institucioneve përgjegjëse të japin menjëherë një zgjidhje dinjitoze dhe funksionale, që u mundëson operatorëve të punojnë normalisht, mbron vendet e punës të qindra familjeve dhe garanton siguri, standarde dhe qytetari për turistët vendas e të huaj që vizitojnë Ksamilin. Turizmi nuk mund të zhvillohet me improvizime, neglizhencë dhe mungesë përgjegjshmërie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco