Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e sotme në Tiranë në një protestë të thirrur nga shoqëria civile dhe përmes rrjeteve sociale, pas dhunës së ushtruar ndaj një protestuesi në zonën e Zvërnecit nga punonjës të një kompanie private sigurie.
Në një lidhje live për SYRI TV, gazetari Fatjon Gjinaj bëri me dije se tubimi nisi pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës dhe më pas vijoi me marshim drejt Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë.
Protestuesit hodhën akuza ndaj qeverisë dhe Policisë së Shtetit për mosveprim dhe tentativë për të fshehur ngjarjen, ndërsa kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama.
Reagimi publik erdhi pas publikimit të pamjeve që kundërshtuan deklaratën fillestare të Policisë së Vlorës mbi incidentin në Zvërnec, çka solli pezullimin e drejtorit vendor dhe nisjen e hetimeve disiplinore ndaj strukturave përgjegjëse.
Fatjon Gjinaj: Një protestë e cila po vijon prej rreth dy orësh, e nisur pranë drejtorisë vendore të policisë së Tiranës, më pas është vendosur përmes një marshimi pranë godinës së Ministrisë së Brendshme, ku pas rreth një ore, nisi marshimi në bulevardin Dëshmorët e Kombit për t'u zhvendosur pikërisht pas krahëve të mi, përpara godinës së kryeministrisë. Protestuesit janë duke vijuar protestën e tyre, e thirrur në rrjetet sociale dhe nga shoqëria civile, të cilat kanë bërë thirrje gjatë gjithë marshimit të tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, për të cilët kërkojnë largimin e tyre nga drejtimi i vendit. Ndërkohë që ka patur thirrje edhe kundër policisë së shtetit e cila një ditë më parë përmes drejtorisë vendore të policisë të, të, ndjesë të Vlorës doli me një komunikatë kontradiktore e cila theksonte se një qytetar i dhunuar nga punonjës të shërbimit privat të sigurisë së kompanisë, e pajtuar nga kompania e zhvillimit të zonës së Zvërnecit, do të ishte futur në kon...
Në vijim të asaj që po raportonim pak më herët, e gjithë situata u krijua dhe reagimi i qytetarëve dhe i shoqërisë civile nga sjelljet dhe veprimet e punonjësve të sigurisë të një kompanie private dhe mosreagimet, mosveprimet e policisë së Vlorës, të cilët ishin dëshmitarë të dhunimit të një prej protestuesve në zonën e Zvërnecit. Drejtoria vendore e Vlorës doli me një deklaratë kontradiktore ku bënte me dije se protestuesi kishte kaluar gardhin, gardhin rrethues të pronës private, por në fakt pamjet filmike dhe veprimet e drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, provuan që deklarata ishte e rreme pasi qytetari ndodhej jashtë gardhit rrethues. Ai u dhunua, ndërkohë që kaq u desh për të shkaktuar një reagim të madh që çoi deri në pezullimin nga detyra të drejtorit vendor të policisë së Vlorës, e më pas ditën e sotme nisjen e hetimeve dhe veprimeve disiplinore ndaj të gjithë zinxhirit komandues të drejtorisë vendore të policisë së Vlorës për veprime apo mosveprime që bien ndesh me ligjin dhe rregulloren për zbatimin e policisë së shtetit. Tubimi i qytetarëve ditën e sotme u thirr në rrjetet sociale nga aktorë të shoqërisë civile, por jo vetëm, i cili nisi rreth orës 18:30 në rrugën Myslym Shyri, para godinës së drejtorisë vendore të policisë së Tiranës, për të vijuar më pas në drejtim të Ministrisë së Brendshme ku pati edhe disa fjalë dhe fjalime, kryesisht nga aktorë të shoqërisë civile dhe më pas u zhvendos përpara godinës së kryeministrisë. Aty ku kërkohet nga thirrjet e tyre dhe pankartat që mbajnë në duar, largimi i qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Këto janë pamjet e drejtpërdrejta që vijnë nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, ku protestuesit janë duke vijuar qëndrimin e tyre në bulevard dhe presim të mësojmë se cili do të jetë lëvizja e tyre, apo ndonjë thirrje për një tubim tjetër të ardhshëm kjo mbetet për t'u parë.
© SYRI.net