Këlliçi: PD hyn në fazën e alternativës qeverisëse, nis riorganizimi i thellë dhe përballja me qeverinë

11:56, 30/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u shpreh për SYRI TV se Kuvendi Kombëtar i PD-së shënon mbylljen e fazës së rezistencës dhe hapjen e një kapitulli të ri, atë të përgatitjes për qeverisje dhe ofrimit të një alternative të plotë politike.

Ai theksoi se ky proces po shoqërohet me riorganizim të thellë të partisë, modernizim të strukturave dhe përfshirje të figurave të reja, si pjesë e ripërtëritjes së PD-së.

Këlliçi u shpreh se nga ky Kuvend pritet të dalë një program dhe ekip i ri politik, që synon të përballet me modelin qeverisës aktual, të cilin opozita e cilëson të dështuar dhe të lidhur me korrupsionin dhe patronazhimin.

'PD po hyn në një fazë ku fokusi kryesor është shndërrimi në forcë qeverisëse dhe ofrimi i një alternative të qartë për qytetarët shqiptarë.'-u shpreh ai

Pjesë nga deklarata:

Është një event i jashtëzakonshëm, një forum i jashtëzakonshëm lirie dhe ripërtëritjeje për Partinë Demokratike. Kapitulli i mbijetesës dhe i rezistencës është mbyllur. Nga ky moment hapet kapitulli final i alternativës dhe i përgatitjes, apo le të themi, i provave gjenerale për një forcë alternative qeverisëse së shpejti. Kështu që është një aktivitet i shumëpritur, jo vetëm nga anëtarët e Partisë Demokratike, por, kam përshtypjen, edhe nga gjithë publiku dhe opinioni qytetar.

Mos harroni që ka qenë një katërvjeçar jo i lehtë; ka qenë një katërvjeçar jashtëzakonisht i vështirë, në kushte të një mbijetese të tejskajshme për Partinë Demokratike. Por, falë demokratëve, falë qëndrestarëve dhe falë idealistëve të Partisë Demokratike, kjo forcë u shpëtua dhe Shqipëria shpëtoi nga skenari për ta lënë vendin pa opozitë. Ndaj, sot vijmë në këtë Kuvend, në një Kuvend ku motoja është modernizimi, ripërtëritja, riseti, pra ristarti nga e para, e një force politike që është sot shpresa e vetme e qytetarëve shqiptarë.

Dua të falënderoj jashtë mase numrin e madh të pjesëmarrësve. Janë jo vetëm delegatët, sepse ata janë me numër të kufizuar dhe të fiksuar, por janë edhe të ftuarit, pjesëmarrësit që vijnë nga diaspora, demokratët e thjeshtë, dhe personalitetet që e mbushin zemrën kur sheh këtë ambient plot qytetarë që nuk kanë bërë asnjë kompromis në jetën e tyre.

Patjetër, dhe ky është modeli. Prandaj po thoja që ne kemi mbyllur një kapitull që kishte të bënte me rezistencën dhe kemi hapur kapitullin e alternativës. Pra, nga sot qytetarët shqiptarë do të shohin vizionin e Partisë Demokratike, do të shohin programin, ekipin që do të pasurohet me prurje të reja, dhe alternativën e plotë të PD-së. Dhe çdo qytetar shqiptar, jam i bindur, jo vetëm anëtarët që bëjnë jetë aktive politike dhe i njohin nga afër personalitetet, drejtuesit dhe funksionarët, por çdo qytetar shqiptar ka mundësinë sot të njihet me atë çfarë PD-ja ka vizion për një Shqipëri larg modelit të krimit dhe korrupsionit, larg drogës, patronazhimit, dhe të gjitha këtyre elementëve që kanë shkatërruar procesin elektoral në Shqipëri, duke i zëvendësuar me alternativë, program, ekip dhe të rinj e të reja.

Jam i bindur që Kuvendi i sotëm do të jetë ndryshe, jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Gjej rastin t'i falënderoj demokratët edhe njëherë, të gjithë delegatët për pjesëmarrjen. Po ashtu, shpreh mirënjohjen e pakufishme që kam pasur mundësinë e artë në jetë të drejtoj Kuvendin e Rithemelemit të 11 dhjetorit 2021. Është një Kuvend që, për mua personalisht, por edhe për demokratët, mund të jetë pika më e lartë e jetës politike, dhe jam i bindur që në këtë Kuvend të sotëm ne çelim një faqe të re, një kapitull të ri që e presin të gjithë qytetarët.

Më duket humbje kohe të diskutohet për fasadë dhe propagandë. Është një organizatë kriminale që thjesht ndërron personat përgjegjës për kontaktet me grupet kriminale. Të vjen keq, ta them sinqerisht, sepse Partia Socialiste nuk është vetëm kundërshtari ynë politik; Partia Socialiste është një aset kombëtar dhe duhet të ishte një forcë politike me vizion, program, ide dhe njerëz të rinj. Por, ta zëvendësosh dhe ta kthesh në një organizatë kriminale, nuk është vetëm dëm për atë forcë, por një dëm që i është bërë gjithë Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco