Kalaja: Kuvendi i PD-së, riorganizim i fuqishëm me diasporën dhe të rinjtë për përballje me qeverinë

10:51, 30/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i PD-së dega Krujë, Aulon Kalaja, u shpreh për Syri TV se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike përbën një moment të rëndësishëm për riorganizimin dhe rienergjizimin e plotë të forcës opozitare, me synim forcimin e strukturave dhe hapjen e partisë ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë.

Sipas tij, ky proces synon ndryshime të thella në përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar, duke rritur përfaqësimin e grave, të rinjve dhe diasporës, e cila vlerësohet si një faktor i rëndësishëm në proceset vendimmarrëse. Kalaja thekson se partia po synon të përfshijë në strukturat e saj figura nga fusha të ndryshme si arti, arkitektura, avokatia dhe media, si pjesë e zgjerimit të bazës përfaqësuese.

Ai nënvizon gjithashtu se parimi “një anëtar, një votë” përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e demokracisë së brendshme, duke e kthyer anëtarin e partisë në vendimmarrës real dhe duke fuqizuar strukturat bazë, me qëllim përgatitjen e një organizimi më funksional dhe më të gatshëm për aksionin politik.

Pjesë nga deklarata:

Po, është organi më i lartë i Partisë Demokratike dhe natyrisht që ne presim ndryshime të thella në strukturë, presim që të përfaqësohen sentimentet dhe grupet e interesit në Këshillin Kombëtar. Risitë janë të qarta: përfaqësimi i grave më shumë, është diaspora, e cila është shumë e rëndësishme sepse ajo ka marrë një rol preliminar në votë, pavarësisht se u manipulua vota e saj. Dhe, pa diskutim, është çështja e të gjithë atyre të rinjve të cilët marrin përsipër një frymë politike; do të ketë kuota edhe për ta.

Unë gjykoj që është radha e të rinjve që të jenë vendimmarrës realë, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, por nuk duhet të ndalet vetëm këtu. Kemi njerëz të cilët janë struktura drejtuese të Partisë Demokratike, sepse nga ky Këshill Kombëtar që prodhohet sot do të lindin sekretariatet, departamentet dhe e gjithë kupola drejtuese e Partisë Demokratike. Pra, besoj që do të jetë një bazë e mirë që Partia Demokratike të shtrijë tentakulat e saj në të gjitha fashat e shoqërisë. Na duhen arkitektë, artistë, avokatë, gazetarë, pra njerëz me sentimente të ndryshme. Kështu që ky është, besoj unë, një moment historik.

Sigurisht që “një anëtar, një votë” është demokracia, që do të thotë se nuk është më me delegim siç zgjidheshim më përpara. Besoj që është një moment që Partia Demokratike po teston vetveten. Mendoj që është një moment që Partia Demokratike duhet ta përdorë për t’u ri-energizuar. Gjykoj që është moment gjithashtu edhe për kryesitë e degëve, që janë shumë të rëndësishme.

Unë mendoj që ne duhet të fuqizojmë qelizën, pra të merremi me seksionin, të merremi me strukturën. Është një parti që duhet të punojë më shumë se ç’ka punuar deri tani dhe, pa diskutim, vendimmarrja që e ka tani anëtari i partisë është shumë e rëndësishme dhe besoj që sot ne do ta shohim që ata do ta ushtrojnë me përgjegjësi të madhe. Prandaj, thirrja ime nga kjo lidhje është që duhet të kenë vëmendje të shtuar të gjithë ata njerëz që votojnë sot për të zgjedhur njerëzit më të aftë në krye të detyrave të PD-së.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco