Kuvendi Kombëtar i PD-së/ Kedhi: Fazë e re në rrugëtimin politik për t'i shkurtuar ditët këtij regjimi autokratik

10:37, 30/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në prag të fillimit të punimeve të Kuvendit Kombëtar, Nikola Kedhi, në një intervistë për Syri TV tha se  demokratët sot janë më të fortë dhe PD është në një fazë të re në rrugëtimin e tyre politik për t'i shkurtuar ditët këtij regjimi autokratik.

“Kuvendi i ditës së sotme mbahet pas katër viteve shumë të vështira për Partinë Demokratike. Partia Demokratike ishte në një rrethim si asnjë parti tjetër në kontinentin evropian apo më gjerë.

Demokratët qëndruan, demokratët mbijetuan dhe demokratët tani janë më të bashkuar, më të fortë dhe të gatshëm për të hapur një proces, një fazë të re në rrugëtimin e tyre politik për t'i shkurtuar ditët këtij regjimi autokratik.

Sot pritet modernizimi i partisë, sot prezantohet platforma e dixhitalizimit, sot pritet gjithashtu të prezantohet platforma për diasporën, për ta integruar diasporën në jetën politike të vendit, në jetën politike të Partisë Demokratike dhe gjithashtu për të prezantuar alternativën tonë, vizionin tonë se si ky vend mund të qeveriset, siç e ka bërë Partia Demokratike më përpara dhe për të garantuar që ditët më të mira të këtij vendi janë ende përpara nesh, nuk i kemi kaluar” tha Kedhi për gazetaren Marsi Korreshi

A mendoni se të gjitha këto procese të brendshme të Partisë Demokratike do të sjellin edhe një qasje të re në ballafaqimin pastaj edhe me mazhorancën?

Nikola Kedhi: Po, do jetë një miks, pa diskutim. Do jetë vazhdimi i protestave, sepse protestat kërkohen nga qytetarët. Po ju them një fakt shumë interesant për protestat. Diskutoja me një zotëri, me një qytetar, dhe thoshte: "Ne nuk mund të dalim në protesta vetë, sepse ne jemi të rrezikuar, ne rrezikojmë vendin e punës, rrezikojmë bukën e gojës, rrezikojmë familjet tona në qoftë se dalim vetë. Por në qoftë se dalim nën mbrojtjen e Partisë Demokratike, padyshim që ndihen më të sigurt, më të inkurajuar për të dalë." Kështu që është një kërkesë që vjen nga baza, kjo nga njerëzit, nga qytetarët e thjeshtë për sa arsye janë të shumta. Nga ana tjetër është prezantimi i programit, i alternativës tonë, i ideve tona të cilat ekzistojnë, dhe propaganda pikërisht se trembet prej tyre, përpiqet t'i fshehë, t'i mjegullojë, të thotë që "jo, nuk ka alternativë, nuk ka program", ndërkohë që e kundërta është e vërtetë.

Të ndalemi pak tek platforma për diasporën, duke qenë se ju edhe do ta prezantoni atë para Kuvendit. Çfarë do të përmbajë ajo?

Nikola Kedhi: Do ta prezantoj zoti Çeno platformën për diasporën. Disa gjëra kanë dalë në media, për shembull kuota për përfshirjen e diasporës në forumet e partisë, më pas në listat për deputetë. Do të jetë një organ i ri i krijuar në Partinë Demokratike për ta përfshirë diasporën në mënyrë institucionale. Ndaj ka disa risi, por të presim shpalosjen e tyre gjatë Kuvendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco