Ripërtëritje/ Ivi Kaso do të drejtojë punimet: Riorganizim dhe aksion i fortë politik ndaj qeverisë

10:36, 30/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso i cili edhe do të drejtojë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, u shpreh se ky është një moment kyç për riorganizimin e brendshëm të partisë dhe për përcaktimin e linjave kryesore të aksionit politik për katërvjeçarin e ardhshëm.

Ai theksoi se procesi drejtohet nga një komision i posaçëm dhe synon jo vetëm miratimin e ndryshimeve statutore, por edhe modernizimin e partisë dhe përfshirjen e diasporës në strukturat drejtuese.

Kaso gjithashtu u shpreh se votimi për Këshillin Kombëtar i hap rrugë rinovimit të plotë të hierarkisë, duke filluar nga Kryesia, nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm, ndërsa numri i madh i folësve dhe rëndësia e procesit pritet ta zgjasë punimet e ditës së sotme.

Ai shton se këto procese të brendshme, të cilat për PD-në janë ushtrime të vërteta të demokracisë, e diferencojnë partinë nga kampi socialist, ku vendimmarrja është monopol i një individi dhe proceset zgjedhore janë braktisur prej dekadash.

Në përfundim, Kaso nënvizon se pas mbylljes së procedurave të brendshme, energjia e plotë e demokratëve do të përqendrohet te aksioni i jashtëm politik, duke i dhënë opozitës mundësinë për t’u përballur fuqishëm me qeverinë.

Pjesë nga deklarata:

Sigurisht, në bazë të detyrimeve statutore, ka një komision drejtues që drejton punimet e Kuvendit, i cili nuk ka rolin e moderatorit, por drejton Kuvendin nga pikëpamja juridike dhe statutore. Kryesia ka propozuar një komision me përbërje pesë persona, siç e parashikon statuti, i cili u propozua të drejtohej nga unë, por sigurisht do t’i nënshtrohet votimit të Kuvendit Kombëtar. Do të zbatohet axhenda me të cilën është thirrur Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, jo vetëm për të miratuar ndryshime statutore, por edhe për të prezantuar platformat për modernizimin e partisë, si dhe platformën për organizimin e strukturave tona në diasporë. Gjithashtu, pritet të votohet edhe Këshilli Kombëtar i ri i Partisë Demokratike, e cila është pika kulminante e eventit të sotëm.

Sigurisht, në eventet e kësaj natyre dihet fillimi, por fundi përcaktohet nga shumë faktorë, jo vetëm procesi i votimit, por edhe koha e folësve, të cilët besoj se do të jenë të shumtë ditën e sotme.

Kuvendi ka një mision kryesor, atë të miratimit të linjave kryesore të aksionit politik të Partisë Demokratike për katërvjeçarin e ardhshëm. Gjithashtu, me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar i hapet rruga zgjedhjes së strukturave qendrore të Partisë Demokratike. Pra, sot shënohet fillimi i një procedure, e cila do të përfundojë me zgjedhjen e kryesisë, nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm, sekretariatit funksional dhe të gjithë organeve të tjera qendrore të Partisë Demokratike. Kështu, shënohet fillimi i një procesi, jo fundi.

Partia Socialiste ka dekada që i ka harruar ushtrimet e demokracisë së brendshme, siç janë kuvendet ose kongreset, siç i quajnë ata, si dhe eventet e tjera që zgjedhin strukturat. Ajo është kthyer prej vitesh në një parti ku vendos një njeri i vetëm. Unë, personalisht, të paktën kam kohë që nuk shoh zgjedhje në kampin tjetër, kështu që nuk mund të krahasohet me PD-në, e cila ushtron procese të brendshme demokratike, siç thotë edhe kryetari i Partisë Demokratike.

Proceset e brendshme të partisë, dashur pa dashur, e sfokusojnë pak vëmendjen dhe energjinë e demokratëve, por me përfundimin e këtyre proceseve, sigurisht gjithë energjia e demokratëve dhe e Partisë Demokratike do të përqendrohet te aksioni i jashtëm, pra përballja me kundërshtarin politik.

Ishim me zotin Kaso, i cili na dha detaje lidhur me atë se çfarë pritet të ndodhë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Po Enida? Folësi 3: Marsi, unë do të lë kohë, së bashku me grupin e xhirimit, që ndoshta të mobilizohesh pak më mirë dhe të kemi sa më shumë…

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco