Sinjale të forta alarmi po vijnë nga autoritetet ndërkombëtare për fuqizimin e mafies shqiptare dhe shtrirjen e saj në trafikun global të drogës, ndërsa sipas gazetares Alba Kepi, prokurorë italianë dhe kilianë po evidentojnë një rol gjithnjë e më të madh të grupeve kriminale shqiptare, me bazë operative në Shqipëri.
E ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’ me moderatorin Bled Marku në SYRI TV, gazetarja Alba Kepi solli detaje nga kontaktet dhe intervistat me prokurorë të luftës kundër krimit të organizuar në Kili, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi atë që po ndodh në Shqipëri dhe mungesën e reagimit institucional.
Sipas Kepit, shqetësimi ndërkombëtar po rritet me shpejtësi, ndërsa autoritetet e huaja po dokumentojnë atë që prej kohësh është denoncuar edhe në Shqipëri: kthimin e vendit në një nyje të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
‘Biseda me prokurorët e qendrës së luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave në Kili nisi pas sinjalizimeve që kishin ardhur edhe nga mediat kiliane për flukse të mëdha droge dhe parash të lidhura me grupe shqiptare.
Qëllimi i intervistës ishte të kuptohej se çfarë po zbulonin autoritetet kiliane përtej raportimeve mediatike.
Ajo që kuptova ishte se mafia shqiptare ka gjetur në Kili një territor më të favorshëm krahasuar me Ekuadorin, Meksikën, Hondurasin, Kolumbinë apo Brazilin, ku kartelet e drogës janë shumë të fuqishme dhe nuk tolerojnë konkurrencën.
Sipas prokurorit kilian, në Kili nuk ekzistojnë struktura mafioze aq të forta sa ato ekuadoriane apo kolumbiane, por grupe kriminale me bazë familjare që kontrollojnë territore apo tregje të caktuara.
Kjo ka krijuar hapësirë që grupet shqiptare të kërkojnë rrugë të reja transporti për kokainën drejt Europës, sidomos për të shmangur kontrollet në portet ekuadoriane, të cilat konsiderohen ndër më të përdorurat nga rrjetet shqiptare të trafikut.
Pas disa operacioneve të zhvilluara me mbështetjen e DEA-s amerikane, autoritetet kiliane kanë nisur bashkëpunime të gjera ndërkombëtare.
Sa i përket Italisë, edhe aty alarmi është rritur ndjeshëm. Në konferencën e fundit lidhur me operacionin në zonën BAT (Barletta-Andria-Trani), u vu re një shqetësim serioz nga antimafia italiane.
Deri tani alarmi vinte kryesisht nga prokurorë si Nicola Gratteri, të angazhuar kundër mafies kalabreze ‘Ndrangheta. Por tashmë shqetësimi po vjen edhe nga rajoni i Pulias, rajoni më i afërt me brigjet shqiptare.
Mesazhi i prokurorëve është i qartë: mafia shqiptare duhet trajtuar sipas nivelit real të rrezikshmërisë që paraqet, pasi po bëhet një shqetësim serioz jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Europën dhe më gjerë’, theksoi gazetarja Alba Kepi në intervistën e saj në SYRI TV.
© SYRI.net