Në një deklaratë për mediat pas takimit me komisionin e Venecias, kreu i PD-së Sali Berisha theksoi se mbështet plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR për financimin e partive politike, duke theksuar se ende nuk ka dakordësi në komisionin e reformës zgjedhore, pasi materialet për shqyrtim nuk janë marrë ende.
Berisha nënvizoi rëndësinë e këtyre rekomandimeve dhe presin gjithashtu opinionin e Komisionit të Venecias për të çuar më tej ligjin.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ju thatë që takimi në mes çështjeve që u diskutuan ishte dhe çështja e financimit të partive politike. A është e vërtetë që Komisioni i Venecias ka shprehur mosdakordësi dhe ka kundërshtuar draftin e përbashkët të miratuar nga PS dhe PD në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore?
Sali Berisha: Unë nuk di të ketë asnjë draft të përbashkët të miratuar. Jo, jo, jo të miratuar. Si? Më falni.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Të propozuar. Draft i propozuar që e ka kundërshtuar edhe OSBE-ja.
Oerd Bylykbashi: Ka akoma, ka akoma opinione Komisioni i Venecias në lidhje me draftin. Ka një draft të OSBE/ODIHR-it, i cili është pjesë e punës që do bëjë komisioni për të çuar më tej ligjin e financimit të partive politike, por Komisioni i Venecias shprehet në datë 13 qershor.
Sali Berisha: Pra di që ODIHR ka sjellë rekomandime, do të thosha të shkëlqyera.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: I mbështesni ato rekomandime?
Sali Berisha: Plotësisht! Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias. Nuk di asnjë lloj dakordësie gjer sot me, midis drejtuesve të komisionit të reformës, sepse nuk e kanë marrë materialin për shqyrtim. Presin të gjitha këto dhe pastaj do e shqyrtojnë.
© SYRI.net