Gazetarja e Syri Televizion, Margarita Mhillka, ka raportuar për qarkun e Elbasanit, ku gjatë gjithë ditës është zhvilluar procesi i votimit për referendumin për rizgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas raportimit, procesi ka nisur që në orën 08:00 të mëngjesit dhe është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa asnjë problematikë në të gjitha bashkitë e qarkut, përfshirë Elbasanin, Cërrikun, Belshin, Gramshin, Librazhdin, Prrenjasin dhe Peqinin.
Mhillka bëri të ditur se anëtarët e Partisë Demokratike kanë ushtruar të drejtën e votës sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërsa pjesëmarrja më e lartë është regjistruar gjatë orëve të para të paradites.
Sipas saj, shumë demokratë kanë shprehur mbështetjen dhe besimin e tyre për Sali Berishën, duke e konsideruar atë si shpresë për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të vendit.
Pas përfundimit të votimit, pritet të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave dhe shpallja e rezultateve.
Deklarata e plotë:
"Ndodhemi sërish pranë selisë së Partisë Demokratike të degës Elbasan, aty ku gjatë ditës së sotme është zhvilluar që prej orës 8:00 të mëngjesit dhe procesi i zgjedhjeve për këtë referendum për të rizgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotin Sali Berisha.
Në fakt procesi është zhvilluar mjaft i qetë dhe nuk ka pasur problematika deri në këto momente. Ndërkohë që pritet që për rreth 45 minuta procesi të përfundojë dhe të nisë menjëherë numërimi. E njëjta situatë ka qenë edhe në të gjitha bashkitë e tjera të qarkut të Elbasanit, pra në Cërrik, në Belsh, Gramsh, Librazhd, Prrenjas dhe Peqin.
Ku sipas komunikimeve që kam pasur dhe me drejtuesit e selive të Partive Demokratike në bashkitë përkatëse, votimi ka nisur që prej orës 8:00 dhe në këto seli të Partisë Demokratike dhe është zhvilluar një proces i qetë ku të gjithë anëtarët të cilët do të votonin gjatë ditës së sotme, kanë votuar dhe kanë dhënë të gjithë votën e tyre të lirë sipas rregullit 'një anëtar, një votë'.
Ndërkohë që sipas komunikimit që kemi pasur dhe me anëtarë të cilët janë prononcuar për Syri Televizion shprehen se dhe këtë radhë besimi dhe vota e tyre ka shkuar për zotin Sali Berisha, duke qenë se janë shpresëplotë tek ajo çfarë mund të ndodhë dhe gjatë vitit të ardhshëm me Partinë Demokratike apo dhe në të gjithë vendin nën drejtimin e zotit Berisha.
Në fakt demokratët kanë shprehur dhe mirënjohjen e tyre për punën gjatë këtyre viteve dhe se do t'i qëndrojnë besnik zotit Berisha dhe në këto zgjedhje. Ndërkohë që presim dhe rezultatin i cili do të dalë menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave të anëtarëve të Partisë Demokratike.
Në fakt në të gjitha bashkitë e Elbasanit, aty ku është kryer votimi, është bërë në selitë përkatëse të Partisë Demokratike. Siç në vendin ku unë ndodhem.
Në fakt, fluksi më i madh i votuesve ka qenë gjatë orëve të para të mëngjesit, pra në orën 8, 9, më herët. Ndërkohë që tani sërish ka prezencë të votuesve të cilët vijnë, votojnë dhe më pas largohen për të pritur më pas edhe vendimin pas numërimit të votave që do të nisë menjëherë pas orës 6:00, atëherë kur dhe procesi i votimit do të mbyllet.
Në këto momente, le të themi, kam marrë edhe me votues të shumtë të cilët mbërrijnë për të dhënë votën e tyre. Mund të themi që fluksi ka rënë paksa në këtë orë të fundit duke qenë se ka qenë fluksi më i madh gjatë orëve të paradites së ditës së sotme".
© SYRI.net