Klevis Balliu: PD refuzoi bërjen e një farse elektorale, pas referendumit riorganizimi i partisë

14:15, 23/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu deklaroi se referendum I votëbesimit të Sali Berishës për të cilën demokratët janë ftuar sot të votojnë është një proces politik i njohur ndërkombëtarisht dhe se ‘është për tu vlerësuar  refuzimi nga ana e Partisë Demokratike për të krijuar farsa elektorale

Për gazetarin Edvin Parruca Balliu u shpreh i bindur se Sali Berisha duhet të vijojë të drejtojë PD-në pasi për hir të së vërtetës edhe nuk ka ndonjë tjetër që të ketë punuar më shumë apo të jetë përballur më shumë apo të ketë denoncuar më shumë.

Pas referendumit PD do të kalojë në një proces riorganizimi të kryesisë së re të PD-së dhe kryesisë së vogël.

Pjesë nga intervista

Pas këtij procesi do të jetë dhe Kuvendi Kombëtar në të cilin del dhe Këshilli Kombëtar që më pas do të vendosë se kush do të jetë dhe Kryesia e re e Partisë Demokratike, përfshirë aty edhe Kryesinë e vogël që përbëhet nga nënkryetarët e partisë dhe sekretariatet. Pra, është i gjithë një proces, një riorganizim.

Dua të falenderoj nga zemra të gjithë demokratët të cilët po dalin masivisht dhe të gjithë strukturat e Partisë Demokratike që po organizojnë këtë procesin. Pra, komisionerët që janë aty dhe numëruesit që do t'i numërojnë në çdo degë të gjitha fletët e votimit në mënyrë transparente, se s'kemi ndonjë gjë për të fshehur.

Dua t'i falenderoj për gjithë punën që ata kanë bërë deri tani dhe që po bëjnë dhe për punën që ata do të bëjnë edhe në Kuvendin Kombëtar dhe të gjitha aksionet e Partisë Demokratike dhe të opozitës në tërësi.

Në këtë aspekt mendoj që është për t'u vlerësuar refuzimi nga ana e Partisë Demokratike për të krijuar farsa elektorale. Sepse e kam dëgjuar këtë diskutimin që është vetëm një kandidat, ndërkohë nuk e kemi shpikur ne këtë që bëhet me referendum, ashtu është zgjedhur kryetari i EPP-së, për shembull, ashtu është zgjedhur Rishi Sunak në Angli në 2022-shin me referendum.

Nuk është një proces që nuk njihet. Kuptoj, për ata që nuk njohin asnjë lloj procesi elektoral siç janë të Partisë Socialiste që s'bëjnë zgjedhje fare dhe i kanë të gjitha në bazë të drejtorëve kush ka vjedhur më shumë, merr më shumë pozicione apo ka më shumë mbështetje, i mirëkuptoj. Hajdutët që nuk dinë i mirëkuptoj. Kurse në rastin konkret, për qytetarët duhet të dinë që referendumi nuk është një gjë që shpiket. Është diçka që është parë në vendet më demokratike dhe në institucionet më demokratike të botës, siç është EPP-ja, një organizatë politike më e rëndësishmja sot në Europë, që kryetarin e vet e ka zgjedhur me referendum. Në 2022-shin po njësoj është rasti me Rishi Sunak, njeriu që u bë dhe kryeministër i Britanisë së Madhe, është zgjedhur me një kandidat pra, me një referendum. Sepse është mundësia për të zgjedhur, në qoftë se nuk je dakord me këtë proces atëherë ti e voton kundra dhe ke mundësinë, është hapësira për ta vendosur.

Thënë kjo, unë e vlerësoj shumë faktin që ne si parti dhe kam qenë militant i kësaj, refuzuam bërjen e një farse elektorale. Se e kishim fare të lehtë të zgjidhnim një kandidat, mund të dilte Klevisi kandidat dhe të themi që kemi një proces. Jo, nuk ka nevojë për farsa të tilla, ka nevojë për të vërtetën dhe e vërteta është

kjo. Pa diskutim edhe unë dhe kushdo tjetër besoj do të preferonte që të kishte një garë midis dy a tre apo edhe pesë po të doni ju kandidatëve të cilët do ishin në një garë të fortë me njëri-tjetrin, por kur nuk është mundësia për të patur një garë të fortë, nuk ke pse bën një garë false. Është e qartë, të gjithë njerëzit që edhe mund ta kenë dëshirë ta drejtojnë Partinë Demokratike aktualisht janë dakord që Partia Demokratike të drejtohet nga Sali Berisha se për hir të së vërtetës edhe nuk ka ndonjë tjetër që të ketë punuar më shumë apo të jetë përballur më shumë apo të ketë denoncuar më shumë se Sali Berisha. Çfarë i takon Çezarit, t'i jepet atij sepse është ai që po merr përsipër jo vetëm risqet, përplasjet, mjafton të shikosh për këtë flet kundërshtari nga mëngjesi deri në darkë. Me këtë merret. Janë vetëm me Sali Berishën. Pse? Se atë kanë frikë.

Që nga mëngjesi deri në darkë, të kesh televizione të tëra, me skripte gati, gazetarë, analistë, pa lëre ata analistët e pavarur që paguhen me paratë që i vidhen qytetarëve shqiptarë, paguhen ata dhe dalin aty llapa-llapa gjithë ditën. Të dalin me vila, me resorte, me çfarë të doni ju. S'di njeri nga i marrin këto para. Këta janë pa punë, e vetmja punë që kanë dalin atje e shajnë Sali Berishën. Është një nga punët më fitimprurëse sot të shash Sali Berishën. Kështu që nuk di unë të jetë parë në ndonjë vend të botës kjo që të jetë profesion sharja e Sali Berishës. Këta janë me profesion të sulmojmë Sali Berishën. Dhe pastaj thonë pse e duan demokratët. Po demokratët s'janë budallenj, e dinë, edhe shqiptarët e duan për këtë arsye. E dinë! Ju problemin me këtë njeri e keni! Dhe mirë bëjnë këta që e kanë problemin dhe mirë bëjnë që e kanë frikë. Shumë mirë bëjnë se ditët po vijnë, po numërohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco