Procesi i votimit për referendumin e votëbesimit të kryetarit të Partisë Demokratike ka nisur pa asnjë incident dhe me një pjesëmarrje masive në qarkun e Elbasanit.
Deputeti i PD në këtë qark, Bledi Himçi u shpreh se raportimet nga terreni tregojnë se demokratët janë dyndur në qendrat e votimit që prej orës 8:00 të mëngjesit, për të shprehur vullnetin e tyre për rikonfirmimin e Sali Berishës si lider historik i partisë.
Të dhënat konfirmojnë se në degë të ndryshme, si Elbasan, Gramsh, Peqin, Belsh, Cërrik, Librazhd dhe Prrenjas, pjesëmarrja ka arritur nga 25% deri në 30% që në orët e para të ditës.
Ky fluks mjaft i lartë është i krahasueshëm me shifrat e regjistruara gjatë zgjedhjeve për kryetarët e degëve, dhe sipas Himçit, dëshmojnë një interes të jashtëzakonshëm të anëtarësisë.
Procesi po shkon shumë mirë. Në të gjitha degët ka nisur që në orën 8:00 të mëngjesit. Unë kam inspektuar një pjesë të konsiderueshme të degëve dhe pjesëmarrja është masive në këtë referendum, dhe sigurisht që pritet akoma më tepër pjesëmarrje në orët në vazhdim.
Ajo që konstatoj është që njerëzit janë, demokratët janë shumë të interesuar për të ardhur, për të votuar dhe për të shprehur interesin e tyre për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
S'ka pasur asnjë problematikë. Votimi është i qetë në të gjitha degët, si në Peqin, si në Belsh, si në Cërrik, ashtu dhe në Gramsh, në Elbasan, në Librazhd dhe në Prrenjas. Procesi është totalisht i rregullt, nuk ka asnjë problematikë. Pjesëmarrja, ashtu siç thatë juve, varion nga 25 deri në 30% në degë të ndryshme dhe aktualisht sigurisht priten edhe demokratë të tjerë për të ardhur për të dhënë dhe për të shprehur vullnetin e tyre.
Pa diskutim, kjo është një ditë e veçantë sepse kërkohet rikonfirmimi i liderit tonë historik si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Deri tani qasja është pozitive dhe ardhja e të gjithë demokratëve, dhe në pjesëmarrje siç e shikojmë, është një pjesëmarrje po aq, në orën që flasim, po aq sa ka qenë dhe për zgjedhjet e kryetarëve të degëve.
Domethënë po në të njëjtin raport jemi të pjesëmarrjes aktualisht në këto orë. Të shikojmë orët në vazhdim, por pa diskutim pjesëmarrja vazhdon të mbetet e konsiderueshme për të shprehur vullnetin anëtarësia e Partisë Demokratike.
© SYRI.net