Gjenerallejtënanti në pension Eric Wendt pritet të dalë nesër para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, në kuadër të procesit të konfirmimit të tij si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Seanca dëgjimore do të zhvillohet më 20 maj 2026 në Senatin amerikan, ku Wendt do të prezantojë vizionin dhe prioritetet e tij diplomatike, ndërsa senatorët do ta pyesin lidhur me përvojën dhe rolin që mund të luajë në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Uashingtonit.
Kandidatura e tij vjen pas një karriere të gjatë ushtarake prej mbi tre dekadash në ushtrinë amerikane. Aktualisht ai është profesor në Naval Postgraduate School, ku ligjëron mbi komandën dhe lidershipin.
Gjatë shërbimit aktiv si gjeneral me tre yje, Wendt ka mbajtur poste të rëndësishme në strukturat e NATO-s në Evropë, përfshirë drejtimin e operacioneve speciale të aleancës. Në këtë rol ai ka bashkëpunuar edhe me forcat speciale shqiptare dhe me drejtues të institucioneve të mbrojtjes në Shqipëri.
Më herët, ai ka shërbyer edhe në Afganistan si zëvendëskomandant rajonal, duke mbikëqyrur operacionet ku ishin të përfshira edhe trupa shqiptare. Një tjetër eksperiencë e rëndësishme në karrierën e tij ishte angazhimi në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku në kuadër të Ambasadës amerikane në Jerusalem drejtoi një koalicion ndërkombëtar për çështje sigurie në Lindjen e Mesme.
Sipas profilit zyrtar të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përvoja shumëvjeçare në drejtimin e strukturave ushtarake dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e çështjeve të sigurisë në Evropë, e bëjnë Wendt një kandidat të kualifikuar për postin e ambasadorit në Shqipëri.
Ai është diplomuar në University of California, Santa Barbara dhe më pas ka përfunduar studimet master në Naval Postgraduate School. Përveç anglishtes, Wendt flet edhe arabisht dhe koreanisht, ndërsa gjatë karrierës është vlerësuar me disa dekorata të larta ushtarake dhe civile amerikane.
Nëse konfirmohet nga Senati, Eric Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë në një periudhë të rëndësishme për partneritetin strategjik mes dy vendeve.
© SYRI.net