Mbrojtja politike që Edi Rama po i bën ish zv/ kryeministres Belinda Balluku po i kushton shtrenjtë Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Dje, 9 vende anëtare të unionit, përfshirë Gjermaninë, vijuan të kundërshtojnë miratimin e raportit IBAR për shkak të ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë, në mënyrë specifike votimin e Kuvendit për të mbrojtur imunitetin e Ballukut.
Ilda Zhulali, drejtuesja e Departamentit të marrëdhënieve me jashtë në PD e ftuar në studion e ‘Task Forcë’ i bën një analizë situatës politike në të cilën ndodhet vendi.
Sonila Meço: Çfarë po ndodh? Domethënë në ç'pikë jemi praktikisht?
Ilda Zhulali: Këtu gjërat janë publike, sado qeveria përpiqet t'i fshehë, por faktet janë publike. Ne kishim vetë kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian që e tha tek zyra e kryeministrit, që çështja e Balluku është një test kritik për Shqipërinë, për qeverinë shqiptare.
Jo më larg sesa javës që kaloi, me datë 5 maj, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi rezolutën për Shqipërinë që do të kalojë në qershor dhe në seancë plenare, ku përsëri çështjen Balluku e kishte një nga pikat e rëndësishme që është një test përsëri për Shqipërinë, që të vërtetohet nëse do të jetë me shtetin e së drejtës apo me shtetin e Belindës.
Kemi një tjetër raport që ka dalë sot, që vjen nga një qendër shumë e rëndësishme dhe prestigjoze e një vendi anëtar të Bashkimit Europian, Polonia, që koçidon, me një nga vendet që kanë ngritur rezerva për Shqipërinë për raportin e IBAR dhe aty bëhej një analizë e hollësishme. Në zemër të artikullit qëndronte zonja Balluku, dhe e shpjegonte pse ajo është e rëndësishme për Bashkimin Europian. Se nuk bëhet thjesht fjalë për një individ. Bëhet fjalë për qindra milionë euro që janë hedhur edhe nga Bashkimi Europian për projekte të rëndësishme në infrastrukturë, të cilat ose kanë dështuar, janë rrëzuar rrugës, ose kanë dalë jashtë projektit, por që në vetvete do të thotë që është abuzuar dhe me paratë e Bashkimit Europian.
Mirëpo, nëse kjo për në Shqipëri kalohet herë pas here edhe pa ndëshkime dhe pa përgjegjës, Bashkimi Europian për fondet e veta e kërkon përgjegjësinë deri në një, kërkon autorët të ndëshkohen, por kërkojnë edhe që qeveria të mos t'i krijojë mburojë këtij lloji keq menaxhimi të parave të tyre.
Dje përsëri kishte një takim të radhës të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në nivel pothuajse ambasador, pra një nivel pak më poshtë. Përsëri u diskutua se çfarë qëndrimi do të mbajnë për Shqipërinë. Dhe aty ka dy gjëra që diskutohen. Janë shqetësimet që ata kanë për zhvillimet që ndodhin këtu çdo ditë, pra nëse ka zhvillime të reja që i bëjnë ato të jenë me nota më optimiste apo me nota më pesimiste për Shqipërinë.
E dyta është, çfarë kushtesh do t'i vendosen Shqipërisë më tej për mbylljen e kapitujve të negociatave, sepse këto kushte do të bëhen edhe më të ashpra dhe më të rrepta për Shqipërinë.
Sonila Meço: Kanë folur konkretisht për kush janë çështjet që bllokojnë?
Ilda Zhulali: E përsëris, nuk është thjesht e lidhur vetëm me emrin e Ballukut. Është për mënyrën se si funksionon i gjithë mekanizmi, nga fillimi deri në fund, që këtu të mbahet përgjegjësi. Të mbahet përgjegjësi për menaxhimin e parave. Si funksionon qeveria, që merr paratë, si i shpenzon. Si funksionojnë institucionet që duhet të shërbejnë për paralajmërimin e hershëm të korrupsionit? A kanë funksionuar? Si funksionon institucionet që duhet ta kallëzojnë korrupsionin? Ata që duhet ta hetojnë korrupsionin, ata që duhet ta dënojnë korrupsionin dhe ata që nuk duhet t'i krijojnë mburojë politike deri në fund.
Ata nuk e bëjnë oponencë komisionit, sepse komisioni nuk është entitet në vete në kuptimin e një shteti. Komisioni është vetëm ena transmetuese, që mbledh raportet nga qeveria shqiptare, bën një matje sipas disa parametrave. Bën një relacion mbi atë çfarë raportojmë ne dhe ky relacion ballafaqohet më pas nga vendet anëtare, të cilat jo vetëm lexojnë raportin, por kanë dhe evidencën që marrin dhe nga ambasadat.
E ndërkohë që sot Mali i Zi po harton traktatin e anëtarësimit në BE, Shqipëria po harton letrën e Vuçiçit. Zhulali nënvizon se ky është dallimi i madh dhe se Rama ndodhet përballë një zgjedhje, dhe duhet të vendosë se kë do të bëjë kurban.
"Jemi në momentin e Kurbanit. Nëse Rama do të bëjë kurban mbi pushtetin e tij apo procesin e anëtarësimit në BE. Njërën nga këta të dy do e bëjë kurban. Zgjedhja është e tij, sepse ai ka arritur të ketë këtë lloj mbipushteti. Nuk ka rrugë të mesme. Procesi i integrimit në faza Rama e propozoi me Vuçiç me letër të hapur. E ndërkohë që sot Mali i Zi po harton traktatin e anëtarësimit në BE, Shqipëria po harton letrën e Vuçiçit. Ky është dallimi I madh. Ndërkohë që në vend të letrës së Vuçiç ne duhej të ishim duke hartuar traktatin e aderimit në BE" tha Zhulali.
© SYRI.net