Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, i ftuar ditën e sotme në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka folur mbi debatin për reformën territoriale, duke theksuar se çdo ndërhyrje që prek drejtpërdrejt shërbimet ndaj qytetarëve dhe kufijtë administrativë duhet të paraprihet nga një proces i gjerë konsultimi me qytetarët dhe pushtetin vendor.
Mëlyshi u shpreh se hapi i parë që duhet të ndërmarrë një qeveri në raste të tilla është zhvillimi i një diskutimi shumë më të zgjeruar sesa ai që është bërë deri tani, duke zbritur në terren dhe duke dëgjuar drejtpërdrejt qytetarët dhe kryebashkiakët.
Sipas kreut të Bashkisë Mirditë, për sa kohë ndarja territoriale bëhet në kontekst politik, ajo nuk i shërben qytetarëve, por interesave të tjera. Ai theksoi se reforma duhet të ndërtohet mbi nevojat reale të komuniteteve dhe jo të nisë nga kufijtë administrativë. Mëlyshi argumentoi se gabimi më i madh do të ishte që diskutimi të fillonte me lëvizjen e kufijve, pa u trajtuar më parë decentralizimi i pushtetit vendor dhe financat lokale.
Sipas tij, vetëm pasi të jenë zgjidhur çështjet e kompetencave, autonomisë financiare dhe ndërhyrjes së qeverisë qendrore në pushtetin vendor, mund të kalohet në diskutime për kufijtë territorialë, qofshin këto për zgjerim apo zvogëlim territoresh. Kryebashkiaku i Mirditës nënvizoi se një pushtet vendor me kompetenca të plota dhe financa të qëndrueshme është në gjendje të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët, pavarësisht madhësisë së territorit.
Në analizën e tij, ai vuri në dukje edhe dallimet mes bashkive shqiptare, duke theksuar se njësitë bregdetare si Himara, Durrësi apo Lezha kanë më shumë mundësi financiare falë turizmit dhe aktivitetit ekonomik, ndërsa bashki malore si Mirdita, Puka, Fushë-Arrëzi, Hasi, Kukësi, Bulqiza apo Dibra përballen me sfida shumë më të mëdha ekonomike.
Për këtë arsye, sipas Mëlyshit, çdo reformë territoriale duhet të marrë parasysh specifikat ekonomike dhe gjeografike të çdo zone, në mënyrë që vendimmarrja të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo e orientuar politikisht.
Mëlyshi:
Unë mendoj që hapi i parë që, një qeveri duhet të marrë në rastet kur diskuton një reformë territoriale që prek drejtpërdrejtë shërbimet e qytetarëve, prek kufijtë administrativ, është një diskutim më i gjerë sesa është është zhvilluar deri tani. Pra, do të thotë që duhet pikë së pari të ulet, në terren, të ulet me qytetarë, të ulet me kryebashkiakë, sepse janë ata që janë më afër qytetarëve, më afër pushtetit.
Dhe, dhe kjo është ndër hapat kryesorë që një qeverisje duhet të kryejë.
Shiko, për sa kohë ndarja territoriale bëhet në kontekstin politik, ajo nuk është në shërbim të qytetarëve. Ndarja territoriale duhet të jetë duke lexuar nevojat e qytetarëve. Dhe, nëse flasim për kufij, për kufij administrativ, unë mendoj është gabimi më i madh të fillojmë nga kufijtë administrativ. Unë mendoj që pikë së pari duhet të fillojë tek decentralizimi i pushtetit vendor. Duhet filluar tek, tek financat vendore. Nëse diskutojmë sot kufijtë, lëvizje kufijsh mes, mes rretheve, pa patur një diçka të qartë në lidhje me financat vendore, sa të afta janë sot bashkitë për të menaxhuar territoret e tyre dhe sa është i decentralizuar pushteti vendor, sa qeveria ndërhyn në kompetencat e pushtetit vendor pasi të zgjidhen këto, atëherë kalohet tek kufijtë territorialë.
Në këtë kontekst, qoftë në zvogëlimin apo qoftë në zmadhimin e territoreve, nëse një pushtet vendor ka këto kompetenca, ka aftësinë financiare, kompetencat e veta si pushtet vendor, decentralizimin, atëherë është e mundur që, që pushteti vendor të ofrojë shërbimet qytetarëve, qoftë sa do të jetë territori i madh apo i vogël që, që mund të vendoset. Pastaj diskutohet kufijtë territorialë. Nëse një njësi duhet zmadhohet për ta lidhur atë me gjerësinë gjeografike, për ta lidhur me shumë elementë që i përbashkojnë këto komunitete, apo elementë të tjerë nëse do të ofrosh, po themi, shërbime qoftë edhe në skenë më të largët të një fshati apo të një bashkie, kjo bëhet drejtpërdrejt kur i ke lënë kompetencat dhe financat vendore realisht një pushteti, një pushteti lokal. Nëse një pushtet lokal është i varur totalisht nga qeveria, në kuptimin financiar, aty s'ke as decentralizim, aty nuk ke as kompetenca dhe patjetër që është totalisht një vegël e pushtetit qëndror.
Bashkitë janë të natyrave të ndryshme, sepse kemi bashki si Himara, si Durrësi, si Lezha, bashki bregdetare, të cilat kanë më shumë mundësi financiare për shkak të turizmit, apo të aktivitetit shumë dhe të zgjeruar qoftë edhe të subjekteve që, që menaxhohen në territor. Ama ke bashki si Mirdita, si Puka, Fushë-Arrëzi, Hasi, Kukësi, apo qoftë edhe Bulqiza, Dibra e të tjera bashki që janë bashki të një karakteri malor, të cilat, ë, kanë më shumë vështirësi financiare.
© SYRI.net