‘Marrëveshja me Melonin nuk do rinovohet’ - Deklarata e Hoxhës alarmon Romën, Ministri i Brendshëm vizitë në Tiranë

22:15, 12/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deklaratat e Ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, sipas të cilit Shqipëria nuk ka ndërmend të rinovojë marrëveshjen 5 vjeçare me Italinë për akomodimin e refugjatëve në kampin e Gjadrit, ka shqetësuar qeverinë italiane. Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi ka udhëtuar nga Roma në Tiranë ku ka marrë garanci nga qeveria shqiptare për vijueshmërinë e protokollit Rama-Meloni. Në një reagim në rrjetet sociale të Ministrisë së Brendshme italiane thuhet se të dyja vendet kanë ndarë bindjen për të vijuar bashkëpunimin e nisur për çështjen e emigrantëve.

“Së bashku diskutuam mbi bashkëpunimin shumë të mirë mes vendeve tona për çështje të ndryshme të bashkëpunimit policor dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm. Më pas u ndalëm veçanërisht te zhvillimet e ardhshme të Protokollit Itali–Shqipëri, edhe në kuadër të hyrjes në fuqi të rregulloreve të reja europiane për migracionin dhe azilin, duke ndarë bindjen për të vijuar bashkëpunimin e nisur, i cili ka përbërë një model inovativ të vlerësuar nga vendet kryesore europiane dhe që përfaqëson një element dallues të miqësisë mes dy vendeve tona” shkruan Matteo Piantedosi

Çështja e të ardhmes së kampeve të refugjatëve në Shqipëri mori një kthesë të papritur kur Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, deklaroi në një intervistë për Euroactiv se marrëveshja 5 vjeçare mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët nuk do të rinovohet pasi, sipas ministrit, vendi ynë do të jetë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2030.

Por pas publikimit të intervistës, dhe alarmit të shkaktuar prej saj në të dyja anët e Adriatikut, Ministri Hoxha ka nxituar të korrigjojë gafën e tij duke u justifikuar se deklarata e tij ishte një reflektim i çastit, i shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco